Në Tiranë, piktori i njohur Qamil Grezda po përkujtohet nga qarqet artistike në 100 vjetorin e lindjes si autori me ndjeshmëri të lartë në portrete dhe pejzazhe.
Artisti me origjinë nga Gjakova studioi për 8 vjet në akademitë e Romës dhe Firences nga mesi i shekullit të kaluar dhe më pas punoi pejzazhe nga pothuaj gjithë territori i Shqipërisë.
Studiuesit pohojnë se studimet italiane dhe origjina gjakovare u bënë shkak për mënjanimin e tij gjatë dekadave të regjimit komunist.
Piktori i njohur Qamil Grezda po kujtohet në Tiranë këtë vit, kur ka 25 vjetorin e vdekjes dhe 100 vjetorin e lindjes. Ai lindi në Gjakovë një shekull më parë, por familja e tij u shpërngul drejt Tiranës prej dhunës së serbëve.
Në rininë e tij Qamil Grezda studioi në Akademinë e Arteve në Romë dhe mësoi pikturën me artistët e njohur Odhise Paskali e Abdurrahim Buza.
Studiuesit e arteve e njohin Qamil Grezdën si piktor me ndjeshmëri të lartë të veçantë realiste, për të cilën u ndikua nga piktori Kol Idromeno.
Realizmi i ndikuar nga shkolla italiane u bë tipar kryesor i pikturave të tij mbi natyrën, ndërsa në temat historike ishte romantik idealist.
Djali i tij, skulptori Ermir Grezda, thotë se “pikërisht ndikimet nga kultura italiane dhe origjina e tij gjakovare shkaktuan lënien në hije të veprës së tij gjatë regjimit komunist”.
Qamil Grezda u dallua për portretet shprehëse të bashkëkohësve, të figurave historike si Isa Boletini, Hasan Prishtina, Bajram Curri, dhe ngjarjeve me rëndësi Lidhja e Prizrenit dhe Gryka e Kaçanikut.
Ai kishte një tërheqje të vecantë nga natyra dhe historia e Shqipërisë dhe Kosovës, të cilave iu kushtoi gjithë krijimtarinë me pejzazhe dhe portrete.
Qamil Grezda është një nga autorët më të spikatur shqiptarë, që u përket të dy anëve të kufirit me Shqipërisë dhe Kosovës.
Qarqet artistike të dy vendeve po përpiqen ta forrcojnë bashkëpunimin edhe në këtë fushë, duke ekspozuar respektivisht punët e artistëve të sotëm, dhe duke nderuar autorët e traditës me ekspozita retrospektive.
Facebook Forum