Lidhje

Personi i komplotit të Al-Kaidës, agjent i dyfishtë


Mediat amerikane thonë se personi i dërguar nga dega e al-Kaidës në Jemen për të hedhur në erë një aeroplan me destinacion për në Shtetet e Bashkuara, ishte në të vërtetë një agjent i dyfishtë që infiltroi në rrjetin terrorist dhe i bindi terroristët ta besonin me bombën e re, të ndërtuar për të mos u diktuar nga masat e sigurisë në aeroporte.

Zyrtarë të paidentifikuar amerikanë dhe të huaj të zbulimit thanë të martën se agjenti sekret punonte për shërbimin saudit të zbulimit dhe CIA-n. Ata thonë se ai u shtir si vetëvrasës dhe doli vullnetar për misionin për të hedhur në erë avioin duke e fshehur lëndën shpërthyese në të brendshmet e tij. Agjenti e dorëzoi më pas bombën e sofistikuar tek zyrtarët amerikanë, të cilët janë duke e analizuar atë në laboratorin e FBI-së në Quantico të Virginia-s.

Zyrtarët thanë se agjenti dha gjithashtu informacionet që çuan në sulmin e suksesshëm të dielën ndaj drejtuesit të al-Kaidës Ahmed Fahd Mohammed al-Quso në Jemen. Quso kërkohej për rolin e tij në sulmin e vitit 2000 ndaj luftanijes amerikane USS Cole në Jemen, i cili vrau 17 marinarë amerikanë.

Identiteti i informatorit nuk është bërë i ditur. Zyrtarë të paidentifikuar thanë se agjenti shpenzoi disa javë për të fituar besimin e anëtarëve të al-Kaidës në Gadishullin Arabik.

Sipas njoftimeve administrata amerikane kishte planifikuar ta mbante sekret operacioninpër zbulimin e bombës, por agjencia Associated Press e arriti ta mësojë atë javën e kaluar. Organizata e lajmeve e vonoi raportimin e ngjarjes me kërkesën e administratës së presidentit Obama.

XS
SM
MD
LG