Lidhje

Filadelfia analizon një program për pakësimin e vdekjeve nga mbidoza


Richard Chenery merr heroinë me injeksion në qendrën Insite në Vankuver, Kanada.

Për gati dy dekada, Vankuveri, epiqendra e epidemisë gjithnjë e më vdekjeprurëse të drogës në Kanada, ka përqafuar një iniciativë që krijon vende të sigurta, ku personat e varur mund të injektojnë heroinë nën mbikqyrjen e profesionistëve mjekësorë. Kjo iniciativë dikur ishte hedhur poshtë si një eksperiment i pamatur, dhe ishte pritur me kritika të ashpra.

E lejuar të veprojë si një përjashtim sipas ligjeve kanadeze të drogës, Insite operon në një dyqan në zonën e drogës dhe të krimit në pjesën lindore të qendrës së qytetit. Brenda është një "dhomë injeksioni"​ e qetë dhe me hapësirë dhe e pajisur me 12 kabina, ku personat e varur mund të injektojnë drogat e tyre, duke përdorur gjilpëra dhe pajisja të pastra.

Infermiret e monitorojnë procesin nga një pikë aty afër, dhe në rast të mbidozës, një ekip mjekësor është i gatshëm të trajtojë individin në nevojë me naloxone, ilaçi kundër mbidozës. Në historinë 16 vjeçare të qendrës, asnjë përdorues i drogës nuk ka vdekur nga mbidoza.

FILE -A Narcan nasal device which delivers naloxone lies on a counter as a health educator gives instructions on how to administer it in the Brooklyn borough of New York, July 3, 2018.
FILE -A Narcan nasal device which delivers naloxone lies on a counter as a health educator gives instructions on how to administer it in the Brooklyn borough of New York, July 3, 2018.

Tani, ndërsa një epidemi vdekjeprurëse e opioideve po shkatërron komunitetet amerikane, Filadelfia, një qytet me mbi 1,100 vdekje nga mbidoza vitin e kaluar dhe një nga tregjet më aktive të heroinës në vend, dëshiron të jetë i pari qytet në vend që zbaton modelin kanadez për këtë problem.

Kryetari i bashkisë dhe prokurori i distriktit kanë mbështetur iniciativën. Një ish-guvernator i Pensilvanisë ka angazhuar organizatën jofitimprurëse Safehouse për të menaxhuar objektin. Aktivistët kanë filluar kërkimet për një objekt në Kensington, një lagje e varfër me numrin më të madh të vdekjeve që lidhen me opioidet në vitet e fundit.

Por plani po ndeshet me kundërshtime të ashpra nga prokurorët federalë, të cilët thonë se projekti shkel ligjin kundër krijimit të lehtësive për përdorimin ilegal të drogës. Për të prandaluar hapjen e objektit, William McSwain, Prokurori i Shteteve të Bashkuara për Distriktin Lindor të Pensilvanisë, javën e kaluar i kërkoi një gjykatësi federal që ta shpallte të paligjshëm projektin bazuar në statutin e vitit 1986 kundër shtëpive të drogës.

"Normalizimi i përdorimit të drogave vdekjeprurëse si heroina dhe fentanoli nuk është përgjigja e duhur për trajtimin e epidemisë", tha McSwain para gazetarëve.

Një iniciativë që ia vlen të provohet

McSwain dëshiron që aktivistët t'i ndryshojnë ligjet, jo t'i shkelin ato. Por mbështetësit e projektit thonë se ndryshimi i ligjeve kërkon kohë dhe koha për të përqafuar një koncept me një histori të provuar për shpëtim jetësh është tani.

"Të gjitha këto (objekte) kanë prodhuar një rezultat të ngjashëm: ato kanë ulur numrin e mbidozave në zonat përreth", thotë Jose Benitez, bashkëthemelues i organizatës Safehouse dhe drejtor ekzekutiv i organizatës Prevention Point, një projekt i për shpërndarjen e gjipërave të papërdorura. "Ne mendojmë se e njëjta gjë mund të ndodhë në Filadelfia".

Me më shumë se 800 vizita në ditë, Insite është objekti më i ngarkuar i këtij lloji në botë. Në 16 vitet që kur hapi dyert, Insite ka regjistruar më shumë se 1,000 mbidoza, shumë prej tyre që mund të kishin një përfundim fatal në mungesë të ndërhyrjes mjekësore. Por asnjëri nga këto raste nuk ka rezultuar në vdekje. Për më tepër, studiuesit kanë zbuluar se përdoruesit e objektit Insite kanë më shumë gjasa të kërkojnë ndihmë për trajtimin e problemit të tyre të varësisë nga droga.

"Disa njërëz thonë se Insite ofron një shembull të keq dhe mbështet fillimin e drogës, por në fakt ajo që zbuluam ishte se njerëzit që përdorën qendrën Insite kishin më shumë gjasa të ndalonin përdorimin e drogës", thotë MJ Milloy, studiuese në Qendrën e Përdorimit të Substancave në provincën kanadeze, British Kolumbia.

FILE - Registered nurse Sammy Mullally holds a tray of supplies to be used by a drug addict at the Insite safe injection clinic in Vancouver, B.C., Canada.
FILE - Registered nurse Sammy Mullally holds a tray of supplies to be used by a drug addict at the Insite safe injection clinic in Vancouver, B.C., Canada.

Milloy ishte pjesë e një vlerësimi shkencor shumëvjeçar të qendrës Insite të mandatuar nga qeveria e Kanadasë. Ndër gjetjet kyçe të studimit ishte: një rënie prej 35 për qind e numrit të viktimave nga mbidoza në komunitetin përreth.

Ai thotë se shkencëtarët gjithashtu analizuan nëse objekti mund të inkurajonte përdorimin e drogës dhe të degradonte cilësinë e jetës në komunitetin përreth, siç kanë pretenduar kritikët. Përfundimi i tyre ishte se kritikat "nuk mbështeteshin aspak në të dhënat empirike", shton ai.

"Ekziston një konsensus shkencor se këto lehtësi mund të kenë përfitime të rëndësishme, jo vetëm për shëndetin dhe mirëqenien e përdoruesve, por edhe për vetë komunitetin përreth", thotë Milloy.

"Bazuar në studimin tonë, ne besojmë se Insite dhe objektet e tjera të injektimit janë ndërhyrje të rëndësishme që duhet të merren parasysh nga çdo qytet apo mjedis që përballet me pasojat negative të përdorimit të drogës me injeksion", thotë ai.

Por projektit Insite nuk i kanë munguar kritikët që kanë ngritur dyshime mbi studimin shkencor. Këta kritikë thonë se ndërsa Insite ka parandaluar vdekjet nga mbidoza, ajo nuk ka çuar në uljen e krimeve apo të përdorimit të drogës në komunitet.

Projekti u hartua si një eksperiment shkencor trevjeçar, por ai u lejua të vepronte pafundësisht pas një vendimi të rëndësishëm nga Gjykata e Lartë e Kanadasë në vitin 2011.

Qytetet e interesuara në Shtetet e Bashkuara

Të frymëzuar nga suksesi i qendrës Insite, dhjetra qytete dhe distrikte amerikane që po përballen me luftën kundrë epidemisë së opioideve po përdorin këtë ide, që përbën shkelje të ligjit federal. Në disa qytete, duke përfshirë Nju Jorkun, San Franciskon dhe Siatëllin, qeveritë lokale kanë hartuar plane konkrete për krijimin e qendrave të injektimit, por mbetet e paqartë nëse ato mund t'i mbijetojnë kundërshtimit nga autoritetet federale dhe shtetërore.

Kjo përpjekje ka nxitur konflikte jo vetëm mes autoriteteve të qyteteve dhe atyre federale, por edhe mes autoriteteve të qyteteve dhe atyre shtetërore.

Në Kaliforni, legjislatura shtetërore vitin e kaluar miratoi një projekt-ligj që do të lejonte qytetin e San Franciskos të operonte një qendër të sigurt injektimi. Por pastaj, guvernatori demokrat, Jerry Brown, i vuri veton projektligjit, duke cituar kërcënimin për hetim nga organet federale.

Dy ligjvënës shtetërorë rikthyer për shqyrtim projekt-ligjin kohët e fundit, dhe guvernatori aktual Gavin Newsom, gjithashtu një demokrat, ka thënë se ai është "shumë i hapur" ndaj idesë.

Filadelfia, një qytet verilindor me një popullsi prej 1,6 milionë banorësh, është goditur rëndë nga epidemia e opioideve. Vdekjet nga mbidoza janë dyfishuar në pesë vitet e fundit.

Dy vjet më parë, kryebashkiaku Jim Kenney krijoi një grup pune për të studiuar pasojat e drogës dhe për të bërë rekomandime për trajtimin e këtij problemi. Anëtarët e grupit të punës shkuan në Vankuver, për të vizituar qendrën Insite dhe në Siatëll, për të mësuar rreth planeve të qytetit për të ofruar shërbime të sigurta të injektimit nga një furgon. Ndër rekomantimet e tjera, grupi i punës sugjeroi që qyteti të eksplorojë ngritjen e një qendre pilot të injektimit.

Kjo nxiti drejtoreshën ekzekutive të Projektit të Ligjit për AIDS në Pensilvani, Rona Goldfein, dhe zotin Benitez që ngrejnë një shtëpi të sigurt dhe të bindin ish-guvernatorin Ed Rendell për rolin pozitiv të projektit. Zoti Rendell, i cili në vitet 1990 kur ishte kryebashkiak i Filadelfias, lejoi krjimin e programit të parë të shkëmbimit të gjilpërave, ra dakord të bëhet pjesë e kësaj nismeje.

Një studim i rekomanduar nga grupi i punës vlerësoi se hapja e një qendre injektimi mund të shmangë 24 deri 76 vdekje nga mbidoza çdo vit.

"Ka njerëz që kanë frikë se ne jemi disi duke promovuar përdorimin e drogës, por ka dëshmi të mjaftueshme se këto objekte në mbarë botën nuk e inkurajojnë përdorimin e drogës", thotë Thomas Farou, kimisioneri i qytetit për shëndetësinë. "Shumë njerëz kanë një reagim të menjëhershëm negativ, por provat janë mjaft të forta se ato kanë një efekt pozitiv tek përdoruesit dhe komunitetet", shtoi ai.

Pengesat nga qeveria federale

Ndryshe nga disa shtete të tjera, Pensilvania nuk ka një ligj kundër krijimit të një strukture për përdorimin e drogës dhe Safehouse nuk kërkon fonde publike. Për këto arsye, iniciativa nuk përballet me një kundërshtim të madh shtetëror, thotë Goldfein.

"Pengesa jonë më e madhe nuk është qeveria e shtetit, por qeveria federale," thotë Goldfein, duke shtuar se guvernatori i shtetit ka sinjalizuar se ai nuk do të ndërmarrë asnjë hap kundër objektit të planifikuar.

Kundërshtimi nga autoritetet federale është i pritshëm. Në një artikull në gazetën The New York Times gushtin e kaluar, Zëvendës Prokurori i Përgjithshëm i Shteteve të Bashkaura, Rod Rosenstein shkroi se qendrat e sigurta të injektimit ishin të paligjshme dhe ai kërcënoi për "veprime të shpejta dhe agresive" kundër qyteteve dhe distrikteve që i hapnin ato.

Goldfein thotë se qëllimi kryesor i objekteve është parandalimi i vdekjeve nga mbidoza, e jo lehtësimi i përdorimit të drogës, që do të ishte një veprim i paligjshëm sipas ligjit federal.

"Ne po hapim një qendër me qëllim të shpëtimit të jetëve, dhe qëllimi dytësor i saj do të ishte trajtimi i njerëzve," thotë ajo. "Ky është një qëllim krejtësisht i ndryshëm nga ajo që parashikon ligji kundër shtëpive të drogës".

Safehouse ka 30 ditë për të paraqitur përgjigjen e saj ndaj ankesës që kanë ngritur autoritetet federale. Rasti është duke u ndjekur me vëmendje nga qytete dhe distriktet e tjera që po shqyrtojnë mundësinë e ngritjes së objekteve të sigurta të injektimit.

Nëse gjykatësi federal që kryeson këtë proces gjyqësor vendos në favor të organizatës Safehouse,"ky sigurisht do të jetë një sinjal i rëndësishëm për hapat e ardhshëm të qytetet të tjera", thotë Goldfein.

Ndërkohë, në Filadelfia, jo të gjithë janë të bindur se një objekt injeksioni i drejtuar nga Safehouse është një ide e mirë. David Oh, anëtarë i këshillit bashkiak të qytetit, thotë se qendra mund të sjellë probleme për qytetin.

"Ne jemi një nga qytetet e mëdha më të varfëra në Amerikë, me shumë probleme ekonomike dhe arsimore", thotë republikani Oh. "Ne jemi duke i ftuar njerëzit që të vijnë të jetojnë në qytetin tonë, të marrin drogë dhe ne do u ofrojmë shërbime, në një kohë kur komunitetet tona po përpiqen të mbijetojnë dhe nuk i duan në mesin e tyre".

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG