Lidhje

Emily Bear, një pianiste e talentuar 11 vjeçare


Ajo ka marrë pjesë në koncerte në Carnegie Hall, Shtëpinë e Bardhë, festivale botërore, ka qenë pjesë e orkestrave simfonike, dhe ka marrë pjesë në një album të realizuar nga Quincy Jones - të gjitha këto të realizuara para moshës 11 vjeçare. Karriera muzikore e Emily Bear është në çdo aspekt - e jashtëzakonshme.

please wait
Embed

No media source currently available

0:00 0:00:00 0:00
Direct link

Ndërkohë që shumica e fëmijëve të moshës së saj argëtohen në qendrat e mëdha të dyqaneve, duke luajtur video-lojëra, ose duke parë filma ose ndeshje futbolli së bashku me shokë të tjerë, Emily Bear përgatitet për paraqitjen tjetër televizive, pjesëmarrjen në koncerte, kompozimin e këngëve, fillimin e një turneu ose interpretimin në krah të muzikantëve të tjerë të njohur dhe me përvojë.

Mes tyre është edhe Quincy Jones, i cili ka punuar me Emily-in në albumin e saj të ri “Diversity”. Një mik i zotit Jones një natë kishte dëgjuar pianisten e re dhe më pas e bindi zotin Jones ta takonte atë. Emily thotë se puna me regjisorin legjendar është një nga momentet më të veçanta të jetës së saj.

“Ishte një gjë e veçantë. Ai është shumë i mirë. Ai është si një enciklopedi e gjallë e muzikës xhaz dhe historisë së saj. Kam mësuar shumë prej tij”.

E lindur dhe e rritur në Rokford të shtetit Ilinoi, Emily që nga mosha dy vjeçare filloi të këndonte dhe të luante në piano. Në moshën gjashtë vjeçare, ajo u ftua të luante në piano në programin televiziv “Ellen DeGeneres Show”, ku ajo luajti pjesë të muzikës klasike, muzikës xhaz dhe krijimet e veta. Paraqitja e saj në këtë program ishte shumë e mirë dhe Ellen e ftoi Emily-in në programin e saj edhe pesë herë të tjera.

Emily ka kërkesa të vazhdueshme për të luajtur në vende të ndryshme të botës dhe ajo po përpiqet t’i përgjigjet pozitivisht shumicës së tyre.

“Më pëlqejnë udhëtimet. Kam vizituar Kinën, Italinë, Francën, Londrën, Zvicrën dhe Vienën. Në fakt, këtë verë së bashku me Quincy-in do të shkojë në Zvicër për Festivalin e Xhazit Montreux dhe pastaj do të udhëtoj në Kore dhe në Japoni”.

Emily Bear ka kompozuar të gjitha këngët e albumit të saj “Diversity”, përfshirë këndën “Q” të cilën e ka kompozuar për nder të këshilluesit të saj Quincy Jones.

Më e vogla nga tre fëmijët, Emily është duke u shkolluar në shtëpi nga nëna e saj. Edhe pse ajo nuk ka shumë kohë, ajo arrin të gjej kohë për t’u kënaqur me shokët dhe shoqet e saj, duke parë filma dhe duke iu përgjigjur letrave të adhuruesve të saj. Ajo thotë se disa adhurues e përshkruajnë muzikën e saj si një realizim që të ndryshon jetën.

“Më pëlqen kur ata frymëzohen dhe fillojnë të luajnë piano përsëri ose një instrument tjetër. Më pëlqejnë e-mailat që më dërgojnë pacientët me sëmundjen e kancerit, të cilët përdorin muzikën time për t’u relaksuar gjatë trajtimeve me kimioterapi. Jam shumë e kënaqur që muzika ime i frymëzon njerëzit e tjerë të bëjnë diçka”.

Emily tani është duke studiuar për kompozim muzike filmash dhe për muzikë klasike. Ajo do të marrë pjesë në Festivalin e Xhazit Montreux 2013 më 21 korrik, ku do të nderojë Quincy Jones në ditëlindjen e tij të 80-të dhe themeluesin e festivalit Claude Nobs. Nëse doni të mësoni më shumë për Emily Bear ju mund të vizitoni faqen e saj në internet, www.emilybear.com.
XS
SM
MD
LG