Sipas një studimi të kohëve të fundit, për çdo burrë, grua dhe fëmijë në Tokë ka rreth një ton plehra plastike. ((http://advances.sciencemag.org/content/3/7/e1700782.full ))
Aktivistët thonë se trajtimi i një problemi të tillë të madh mund të fillojë me një hap të vogël. Me Ditën e Tokës këtë të dielë, ata po u kërkojnë njerëzve të "mos përdorin pipat për pirjen e lëngjeve".
Pothuajse çdo pije vjen me një pipë plastike. Por a e keni menduar ndonjëherë se ku përfundojnë ato?
Pipat janë ndër artikujt më të zakonshëm që gjenden gjatë pastrimit të mbeturinave në mbarë botën.
Organizata jo-fitimprurëse Ocean Conservancy ka zhvilluar pastrime të tilla për më shumë se 30 vjet. Sarah Kollar punon për programin Detet e Pastra të kësaj organizate.
"Dhe gjatë 30 viteve vullnetarët kanë mbledhur mbi 10 milionë pipa plastike përgjatë plazheve dhe brigjeve në mbarë botën."
Grupi thotë se oqeani është i mbushur me 150 milionë tonë plehra plastike të të gjitha llojeve, duke bllokuar bregdetet, kafshët e egra dhe madje duke ndotur edhe tokën larg çdo vendbanimi njerëzor.
Dhe çdo vit shfaqen 8 milionë tonë plehra të tjera.
Problemi po zgjerohet me shpejtësi në vendet me rritje të shpejtë bregdetare të Azisë Juglindore, thotë Bridget Croke e grupit të investimeve Loop Close Partners.
"Kjo ndodh për dy arsye. Njëra është mungesa e infrastrukturës për t’i çuar ato diku tjetër."
Sistemet për mbledhjen, grupimin dhe riciklimin e materialeve mungojnë në pjesën më të madhe të botës në zhvillim.
Arsyeja tjetër, thotë ajo, është se paketimi plastik me një përdorim që përbën pjesën më të madhe të mbeturinave, është në thelb pa vlerë.
Shishet plastike përjashtohen nga ky rregull.
"Ekziston një ekonomi informale e mbledhësve të mbeturinave që i mbledhin ato sepse gjejnë vlerë në atë material dhe mund ta shesin atë", thotë Bridget Croke.
Grupi Closed Loop Partners po punon me disa kompani të mëdha për të bërë më shumë paketime të riciklueshme dhe për të përmirësuar sistemet e riciklimit.
Por ndërkohë, Kollar dhe grupi Ocean Conservancy kanë një sugjerim: mos përdorni pipat.
"Shumica prej nesh, mund t’i pimë pijet pa pipë. Pra, duket si një artikull i mirë për t’u vënë në shënjestër dhe për të zvogëluar mbeturinat që mund të përfundojnë në plazh", thotë Sarah Kollar.
Ose provoni një alternativë, si pipat metalike apo të ripërdorshme.
Ndërsa eleminimi i pipave nuk do të zgjidhë problemin e ndotjes plastike, Kollar thotë se kjo është një mënyrë që njerëzit mund të fillojnë të ndërgjegjësohen.
"Ne vazhdimisht marrim pyetje për mënyrën se si njerëzit mund të parandalojnë mbeturinat në det. Eleminimi i pipës është gjëja e parë Është me të vërtetë pika e nisjes", thotë Sarah Kollar.
Ata shpresojnë se njerëzit do të mendojnë më pas për mënyra të tjera për të përdorur më pak plastikë dhe për t’i mbajtur plehrat larg oqeanëve.
Facebook Forum