Lidhje

Plani për Lindjen e Mesme mund të përjashtojë Gazën


Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shpreson që një projekt-marrëveshje për paqen në Lindjen e Mesme, e cila do të bëhet publike së shpejti, të ndihmojë në zgjatjen e bisedimeve të brishta mes Izraelit dhe Autoritetit Palestinez me bazë në Bregun Perëndimor. Është pothuajse e sigurt që marrëveshja nuk do të përfshijë Rripin e Gazës.

Zyrtarët amerikanë nuk kanë publikuar pothuasje asnjë detaj rreth planit për paqen në Lindjen e Mesme, të cilin Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry shpreson ta bëjë të ditur brenda muajit të ardhshëm. Diçka që nuk është përmendur shpesh është fakti se marrëveshja pothuajse me siguri do të anashkalojë Gazën, një rrip toke i ngushtë dhe me popullsi të dendur, që cilësohet vendimtar për një marrëveshje të plotë paqeje izraelito-palestineze.

Negociatorët amerikanë nuk kanë shumë mundësi për këtë çështje. Gaza udhëhiqet nga Hamasi, një grup islamik i vijës së ashpër që kundërshton në mënyrë të vendosur negociatat me Izraelin dhe që Departamenti Amerikan i Shtetit e ka të regjistruar si organizatë terroriste.

Në një intervistë telefonike me Zërin e Amerikës, zëdhënësja e Hamasit Israa al-Modallal i dënoi bisedimet. Ajo tha se mendon se udhëheqësi i Autoritetit Palestinez Mahmud Abas, një rival i hershëm i Hamasit, nuk do të arrijë asgjë në shërbim të popullit palestinez.

"Ne nuk i kërkuam atij të shkonte të fliste në emrin tonë. Dhe ky është një gabim i madh që Mahmoud Abbas bëri. Sa i përket projektit të zotit Kerry, ne jemi 100 për qind kundër dhe duam që ky plan të ndalet që sot."

Pa përfshirë Gazën, shumë analistë mendojnë se gjasat janë të pakta që bisedimet të mund të çojnë në një zgjidhje diplomatike të konfliktit disa dekadësh apo në krijimin e një shteti të pavarur e të qëndrueshëm palestinez. Por në dhjetor, Presidenti Barak Obama tha se nëse mund të gjehet një "rrugë për paqen" në Bregun Perëndimor , "kjo do të ishte diçka që do të kërkojnë dhe të rinjtë e Gazës".

Profesori i Studimeve për Lindjen e Mesme në Universitetin e San Franciskos Stephen Zunes është dakord se Hamasi mund të ndihet nën presion për të bërë kompromise.

"Nëse palestinezët në Gaza do ta shikonin Bregun Perëndimor si një shembull, kjo do të mund të inkurajonte forcat e moderuara atje dhe mund të çonte në mënjanim të elementëve të vijës së ashpër të Hamasit, duke bërë të mundur një pajtim mes palestinezëve si pjesë e krijimit të një shteti të ri të qëndrueshëm."

Por drejtoresha e Iniciativës izraelito-palestineze në Fondacionin Amerika e Re me bazë në Nju Jork, Lisa Goldman, thotë se nuk është diçka realiste të supozohet se banorët e Gazës, shumica e të cilëve e kanë prejardhjen nga zona që tani janë pjesë e Izraelit, do të jetë joshen nga ndonjë projekt-marrëveshje.

"Me të vërtetë nuk e kuptoj se si ky mund të jetë një skenar realist. Gaza tani është 80 për qind e populluar nga refugjatë. Ata nuk vijnë nga Bregu Perëndimor, ata vijnë nga Izraeli dhe janë ende duke jetuar në kampe refugjatësh. Pra, nëse plani nuk përfshin asnjë lloj përparimi për të drejtat e refugjatëve dhe rivendosjen e tyre, atëherë ky projekt për marrëveshje thjesht nuk ka vlerë për njerëzit e Gazës."

Udhëheqësit izraelitë kanë insistuar për një kohë të gjatë duke thënë se ata që u larguan apo u dëbuan nga zonat që u bënë pjesë e Izraelit gjatë krijimit të vendit në vitin 1948 nuk do të lejohen të kthehen, prej shqetësimeve se kjo do të rrezikonte natyrën hebraike të shtetit të tyre. Gjashtëdhjetë e gjashtë vjet më vonë, aktivistët palestinezë thonë se çështja e refugjatëve mbetet aspekti më i rëndësishëm i pazgjidhur i konfliktit.

Izraeli aktualisht kontrollon pothuajse të gjithë kufijtë e Gazës, si dhe hapësirën e saj ajrore dhe bregdetin mesdhetar. Gjithashtu Izraeli vendos në mënyrë të rreptë gjërat që territori i varfër mund të importojë dhe eksportojë.

Samer Badawi, shkrimtar palestinezo-amerikan dhe analist për Lindjen e Mesme, i tha Zërit të Amerikës se në kushte të tilla palestinezëve nuk u mbetet gjë tjetër përveçse të mbështeten tek Hamasi, të cilin ata e votuan të udhëhiqte në zgjedhjet e vitit 2006.

"Shpresa e Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit se një alternativë tjetër politike mund të fitojë ndaj Hamasit thjesht është e parealizueshme, në një kohë kur secili nga 1,7 milionë palestinezët e Gazës jeton në kushte të mjeruara. Pra, në mënyrë që të krijohet një alternativë ndaj Hamasit, njerëzve duhet t’u jepet liria për ta kërkuar një alternativë të tillë."

Por Izraeli këmbëngul se shqetësimet e sigurisë nuk e lejojnë të lehtësojë kufizimet.

Nëse nuk miratohet një zgjatje e mëtejshme e bisedimeve, ato do të përfundojnë në fund të prillit.
XS
SM
MD
LG