Lidhje

Poloni, protesta kundër kapjes së gjyqësorit


Kryetarja e Gjykatës së Lartë të Polonisë, Malgorzata Gersdorf, u paraqit sot në punë, duke sfiduar kështu ligjin që e detyron të dalë në pension. Kundërshtarët thonë se maxhoranca synon kapjen e gjyqësorit duke përdorur uljen e moshës për daljen e detyrueshme në pension të anëtarëve të Gjykatës së Lartë të vendit.

Zonja Gersdorf falenderoi turmën e protestuesve që ishin mbledhur jashtë ndërtesës së Gjykatës së Lartë në kryeqytetin Varshavë dhe u tha se ishte paraqitur në punë për të mbrojtur ligjin. Ajo falenderoi protestuesit e shumtë.

“Dua ta bëj të qartë se prania ime këtu nuk ka të bëjë me politikën. Jam këtu për të mbrojtur shtetin ligjor”, deklaroi zonja Gersdorf.

Sipas një ligji të ri, Polonia uli moshën e pensionit të detyrueshëm për gjykatësit, duke shkaktuar kështu largimin e detyrueshëm të mbi një të tretës së trupës gjyqësore. Kundërshtarët thonë se ligji i ri është një përpjekje e qeverisë aktuale për të kapur gjyqësorin.

“Jemi këtu. Jemi të pavarur dhe nuk do të lejojmë askënd të na heqë kushtetutën dhe ndarjen e pushteteve”, thotë një protestues.

Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha gjatë një seance të Parlamentit Evropian se çdo vend i BE-së ka të drejtën të zhvillojë sistemin gjyqësor sipas traditës së tij. Komisioni Evropian ka hapur tashmë një proces hetimor për këto ndryshime ligjore në Poloni, duke u shprehur se ndryshimet dëmtojnë gjyqësorin e vendit më të madh ish-komunist të Evropës Lindore.

Mijëra protestuesve të mbledhur në disa qytete të vendit iu bashkua edhe fituesi i Çmimit Nobel, Lech Walesa, i cili deklaroi gatishmërinë për rrëzimin nga pushteti të qeverisë aktuale.

Vetë gjykatësja Gersdorf ka qenë një kritike e ashpër e partisë konservatore në pushtet. Ajo e përshkroi ligjin e ri si një “spastrim i Gjykatës së Lartë... me pretekstin e ndryshimit të moshës së pensionit”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG