Lidhje

SHBA: Krimet e dhunshme dhe policia


Shifrat e fundit të FBI-së tregojnë se krimet e dhunshme në Shtetet e Bashkuara kanë rënë në nivelin më të ulët në vite. Shumë agjenci të zbatimit të ligjit thonë se ato kanë kontribuar në rënien e këtyre krimeve. Por siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Chris Simkins, megjithë këtë rënie, numri i vrasjeve nga policia, që ajo i quan të justifikueshme, ka qenë në rritje.

FBI thotë se në vitin 2013 krimet e dhunshme si vrasjet, përdhunimet, sulmet dhe vjedhjet ranë më shumë se katër përqind. Por, gjatë të njëjtës periudhë policët vranë më shumë se 400 civilë në incidente që njihen si vrasje të justifikueshme.

Bill Lewis, zëvendës drejtor i FBI-së në Los Anxheles, thotë se rritja e aktivitetit të drogës dhe bandave ka çuar në shtimin e përballjeve vdekjeprurëse me policinë.

"Në Shtetet e Bashkuara ka më shumë se 30 mijë banda të njohura, duke përfshirë banda burgjesh dha banda motoçikletash, me mbi një milion anëtarë gjithsej. Bandat janë përgjegjëse për rreth 48 përqind të krimeve të dhunshme në lagjet që ato kontrollojnë".

Sipas raportit zyrtar të FBI-së, gjatë periudhës shtatë vjeçare që përfundoi në vitin 2013, çdo vit ka patur rreth 500 vrasje nga policia të të dyshuarve për krime.

Por kjo shifër vjen nga vetëm 750 agjenci të zbatimit të ligjit nga gjithsej 17 mijë që ekzistojnë në mbarë vendin, sepse raportimi i vrasjeve të policisë në Uashington bëhet në baza vullnetare.

Disa analistë thonë se raporti nuk jep një pasqyrë të saktë të përballjeve fatale të policisë me civilët, dhe se numri real i tyre mund të jetë deri në një mijë.

Presidenti i Lidhjes Kombëtare Urbane, Marc Morial thotë se ulja e këtyre shifrave kërkon ndryshimin e sjelljes së policisë.

"Ne kërkojmë që të ketë një largim nga ajo që unë do ta quaja rritje e veprimeve të policisë ndaj krimeve të vogla dhe kalim në një model i cili të përqendrohet te krimet e dhunshme por edhe te ndërtimi i marrëdhënieve mes policisë dhe komuniteteve".

Vrasja e afrikano-amerikanit të paarmatosur Michael Brown në Ferguson nga polici i bardhë Darren Wilson nuk ishte një rast i izoluar. Afrikano-amerikanët përbëjnë një shumicë të madhe të njerëzve të vrarë nga policia. Ekspertja Elsie Scott thotë se thelbi i problemit është mënyra se si perceptohen nga shumë policë meshkujt afrikano-amerikanë dhe pakicat e tjera.

"Në vend ka shumë policë të mirë. Unë mendoj se shumë policë të cilët punojnë drejtpërdrejt në komunitetet me nivele të larta krimi shpesh nuk shohin asgjë tjetër përveç elementeve negative dhe kështu perceptimet e tyre ndaj të rinjve afrikano-amerikanë dhe latinë mund të jenë të shtrëmbëruara".

Madye Henson, e cila ka trajnuar mijëra punonjës të policisë, thotë se agjencitë e zbatimit të ligjit duhet të shqyrtojnë mënyrat për pakësimin e forcës vdekjeprurëse.

"Unë mendoj se në komunitetet ku ka patur një rënie të vrasjeve të policisë ekziston një nivel i ndryshëm angazhimit, pra një nivel i ndryshëm i angazhimit të policisë me komunitetin".

Zonja Henson thotë se thellimi i reformave në polici duhet të rrisë besimin mes policëve dhe civilëve dhe të pakësojë përdorimin e forcës vdekjeprurëse nga policia.

XS
SM
MD
LG