Lidhje

Policia e Kosovës merr përgjegjësinë e kontrollit të kufirit me Malin e Zi


Policia e Kosovës merr përgjegjësinë e kontrollit të kufirit me Malin e Zi
Policia e Kosovës merr përgjegjësinë e kontrollit të kufirit me Malin e Zi

Që sot, Policia e Kosovës ka marrë përgjegjësitë për kontrollimin e kufirit me Malin e Zi, me një gjatësi prej afro 80 kilometrash. Në një ceremoni zyrtare ajo i mori këto përgjegjësi nga forcat paqeruajtëse të NATO-s. Policia e Kosovës tashmë kontrollon e vetme kufirin me Maqedoninë, Shqipërinë dhe Malin e Zi.

Me këtë të fundit mbetet e hapur çështja e shënimit të kufirit, që sipas zyrtarëve të Qeverisë së Kosovës, pritet të përfundojë shumë shpejt, meqë siç është thënë nuk ka çështje kundërthënëse dhe se përcaktimi fizik i vijës kufitare do të bëhet në bazë të hartave që kanë ekzistuar para vitit 1999. Por, çështja më e diskutueshme mbetet ajo e përcaktimit të kufirit me Serbinë, e cila vazhdon të kundërshtojë ashpër pavarësinë e Kosovës të cilën deri tash e kanë njohur 81 vende të botës.

Autoritetet në Prishtinë thonë se kufijtë e Kosovës janë të përcaktuar e të pandryshueshëm dhe se Kosova është njohur si e pavarur në kufijtë e saj aktualë.

Zyrtarët serbë thonë ndërkaq se Serbia nuk e njeh Kosovën dhe nuk ka asnjë arsye që të diskutojë çështjen e përcaktimit të vijës kufitare.

Menaxhimi i kufijve është një prej kritereve për proceset integruese të të dyja vendeve. Qeveria e Kosovës tashmë ka miratuar një strategji për këtë çështje që parasheh përmbushjen e standardeve evropiane siç janë ruajtja e paqes dhe qëndrueshmërisë së brendshme dhe asaj rajonale, lehtësimin e tregtisë dhe lëvizjes së njerëzve por edhe parandalimin e veprimtarive të paligjshme.

XS
SM
MD
LG