Lidhje

Policia serbe arreston dy policë të Kosovës, reagon Ministria e Punëve të Brendshme


Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës e ka dënuar arrestimin e dy pjesëtarë të policisë së Kosovës në zonën kufitare me Kosovën, nga ana e autoriteteve të Serbisë.

Nëpërmjet një komunikate për opinion të kësaj ministrie thuhet se “pjesëtaret e Policisë së Kosovës në momentin e kidnapimit kanë qenë duke patrulluar në zonën e përgjegjësisë së Policisë së Kosovës dhe në asnjë moment nuk kanë tejkaluar zonën e përgjegjësisë së tyre”.

Në komunikatë më tej thuhet se “ky veprim tinëzar dhe i organizuar i Xhandarmërisë serbe dëshmon edhe njëherë orientimin dhe mentalitetin agresor të shtetit serb ndaj Republikës së Kosovës”.

Ministria e Punëve të Brendshme ndërkaq ka kërkuar nga EULEX-i dhe Bashkimi Evropian që të kërkojnë nga Qeveria e Serbisë lirimin e menjëhershëm të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës. “Arrestimet janë në kundërshtim të plotë me rendin dhe ligjin dhe janë veprime anti-europiane dhe në dëm të perspektivës evropiane të rajonit”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës.

Policia serbe arreston dy policë të Kosovës

Autoritetet e Serbisë thanë se kanë arrestuar dy pjesëtarë të policisë së Kosovës në zonën kufitare me Kosovën. Ministri serb i punëve të brendshme, Ivica Dacic, u tha mjeteve serbe të informimit se të dy pjesëtarët e policisë së Kosovës ishin të armatosur me pushkë automatike dhe me vete kishin pajisje për matjen e largësisë. Ai i identifikoi të arrestuarit si Shukri Binaku e Sami Beqiri të cilët sipas tij kishin më vete armë që paraqet, siç thotë ai, “shkelje drastike të marrëveshjes ushtarako-teknike, të nënshkruar në Kumanovë, më 1999”, duke ju referuar marrëveshjes së 9 qershorit të atij viti të nënshtruar ndërmjet autoriteteve të Beogradit dhe NATO-s më të cilën iu dha fund luftës në Kosovë. Ministri i brendshëm serb, Ivica Dacic, i cili drejton Partinë Socialiste të Serbisë, tha se secili që shkel këtë marrëveshje, do të arrestohet.

Ndërkaq, autoritetet në Prishtinë konfirmuan njoftimet për arrestimin e dy pjesëtarëve të policisë, por thanë se ende nuk është e qartë nëse ata e kanë kaluar vijën kufitare. Edhe 13 vjet pas luftës kufiri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është i pashënuar.

Arrestimet e sotme pasuan paralajmërimet e ministrit serb të punëve të brendshme se autoritetet e Serbisë do të kundërpërgjigjen ndaj arrestimeve të serbëve nga ana e autoriteteve të Prishtinës.

Të hënën policia e Kosovës arrestoi katër pjesëtarë të komunitetit serb që po bartnin materiale për zgjedhjet e Serbisë, me çka sipas policisë, ata kishin shkelur rendin kushtetues të Kosovës.

Në kundërpërgjigje policia serbe arrestoi dy shqiptarë, përfshirë Hasan Abazin, kryetar i sindikatave të industrialistëve të Kosovës derisa po udhëtonte për në Kroaci nëpërmjet territorit të Serbisë.

Këto zhvillime nxitën reagime të shumta përfshirë edhe departamentin amerikan të shtetit, Bashkimin Evropian si dhe organizata e ndryshme ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat bënë thirrje për shmangie të veprimeve që mund të nxisin tensionet të cilat edhe ashtu u shtuan pas paralajmërimeve të Beogradit se do të organizojë zgjedhjet lokale edhe në Kosovë.

Prishtina zyrtare tha se këto synime paraqesin cenim të sovranitetit të Kosovës dhe paralajmëruan një plan të posaçëm për pengimin e zgjedhjeve lokale serbe.

Kundër këtyre zgjedhjeve është shprehur edhe Misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë i cili u bëri me dije zyrtarëve serbë se “përpjekja e qeverisë së Serbisë që të organizojë zgjedhje të tilla do të paraqiste shkelje të Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe së këndejmi zgjedhjet e tilla nuk do të kishin as bazë ligjore e as rrjedhoja ligjore”.

Kundër mbajtjes së zgjedhjeve lokale serbe janë shprehur edhe diplomatët perëndimorë, të cilët thanë se zgjedhjet parlamentare të Serbisë, do të mund të mbaheshin të organizuara nga Organizata për Siguri e Bashkëpunim në Evropë, duke u nisur nga fakti se qytetarët e Kosovës e kanë të garantuar shtetësinë e dyfishtë.

XS
SM
MD
LG