Lidhje

Politikat e BE për Peshkimin nën kritika për dëmtimin e rezervave të peshkut


Politikat e BE për Peshkimin nën kritika për dëmtimin e rezervave të peshkut
Politikat e BE për Peshkimin nën kritika për dëmtimin e rezervave të peshkut

Çdo vit afro gjysma e sasisë së peshkut që kapin peshkatarët evropianë hidhet përsëri në det, pasi peshku ka ngordhur. Kjo si rrjedhojë e sistemit të ndërlikuar të kuotave të peshkimit që ka vënë në zbatim Bashkimi Evropian. I vënë nën presionin e peshkatarëve dhe konsumatorëve, BE po propozon një reformim të përgjithshëm të Politikës së Peshkimit.

Kuotat e Bashkimit Evropian nënkuptojnë se peshkatarëve u lejohet të peshkojnë vetëm një sasi të caktuar nga disa specie peshku.

Pra nëse sasia e peshkut e nxjerrë nga deti i kapërcen kuotat për atë specie, peshku hidhet në det, megjithëse i ngordhur. Sipas përllogaritjeve, më shumë se gjysma e peshkut të kapur në Evropë përfundon në këtë formë.

Politika e BE-së për Peshkimin konsiderohet në masë të madhe si e dështuar. Një anketë e fundit e Fondit Botëror të Florës dhe Faunës tregon se 88 për qind e konsumatorëve kërkojnë forma më efektive për ruajtjen e rezervave të peshkut. Tony Long është Drejtori për Politikat Evropiane pranë kësaj organizate.

“Kjo tregon sa i përhapur është shqetësimi tek konsumatorët evropianë se nuk duhet të peshkojmë pa kriter, nuk duhet të hedhim peshk të pakonsumuar në det. Rezervat e peshkut duhen menaxhuar si duhet dhe i duhet kushtuar rëndësi kësaj industrie”.

Një fushatë mediatike e fuqishme e zhvilluar në Britani e ka bërë këtë shqetësim, temë diskutimesh në Bruksel. Bashkimi Evropian ka prezantuar propozime për të reformuar politikat e peshkimit, përfshirë ndalimin e praktikës së flakjes në det të peshkut, pa u konsumuar. Maria Damanaki është komisionere e BE për Çështjet e Jetës Ujore dhe Peshkimit.

“Nëse nuk zbatohen reforma, vetëm 8 nga 136 zonat e peshkimit do të jenë në nivele të shëndetshme pas 10 vjetësh. Synojmë që të bëjmë ndryshime në mënyrë që i gjithë peshku i nxjerrë të shfrytëzohet dhe të llogaritet në bazë të kuotave”.

Shkencëtarët thonë se ujërat rreth Evropës kanë tani vetëm një fraksion të rezervave të peshkut që kishin dikur.

Edhe nëse reformohen rrënjësisht politikat e peshkimit, disa shkencëtarë si Tim Laing i Univerisitetit të Qytetit të Londrës, thonë se rezervat e peshkut ende janë nën kërcënimin e zhdukjes.

“Bota nuk mund të konsumojë peshk, siç konsumojmë ne në Britani, ku hamë dy porcione peshk në javë, një prej të cilëve është peshk i yndyrshëm. Është çmenduri ta mendosh diçka të tillë. Mjedisi, bota, planeti dhe detet nuk mund të përballojnë një popullatë prej 7 miliardë vetësh që hanë 2 porcione peshk në javë”.

Propozimet e Bashkimit Evropian mund të mos hyjnë në fuqi për 18 muaj apo më gjatë. Ndërkaq, mijëra tonë peshk vazhdojnë të kapen dhe të hidhen përsëri të ngordhur në ujërat rreth Evropës.

XS
SM
MD
LG