Lidhje

Polombarët gjejnë edhe 16 trupa pranë Lampeduzës


Palombarët në Itali gjetën sot edhe 16 trupa të tjerë pasi anija me imigrantë afrikanë mori zjarr dhe u përmbys në det të hapur pranë ishullit italian të Lampeduzës. Më shumë se 300 refugjatë afrikanë mendohet të kenë vdekur, ndërkohë që palombarët rifilluan operacionin e gjetjes së trupave pas një ndërprerjeje që prej së premtes për shkak të detit të trazuar në brigjet e Lampeduzës, ku ndodhi tragjedia të enjten.

Italia po kthen trupat e emigrantëve afrikanë. Të mbijetuarit, emigrantët e tjerë dhe forcat policore nderuan 111 të vdekurit të vendosur në arkivolë me një trëndafil mbi to, me përjashtim të 4 arkivolëve të fëmijëve, që kishin mbi to një arush lodër, dhe që ishin rradhitur në një depo të aeroportit të Lampeduzës.

Në vend të emrave, viktimat kishin vetëm numra. Ekipet e kriminalistës, që janë përpjekur të identifikojnë trupat që prej aksidentit të së enjtes, morën pjesë në ceremoninë për nder të viktimave.

Ndërkohë, Ministrja e Integrimit, Cecile Kyenge, e cila është përballur me një seri akuzash raciste si ministrja e parë zezake e Italisë, bëri thirrje për lehtësimin e rregullave të ashpra të imigracionit të paligjshëm.

“Ligji i imigracionit nuk mund të jetë ndëshkues. Fluksi i emigrantëve ka ndryshuar ndjeshëm prandaj ne duhet ta kuptojmë këtë dhe të ndryshojmë ligjet tona”.

Ajo shtoi se ka në plan të trefishojë hapësirën e shtretërve në qendrat e azilit për shkak të shtimit të numrit të azil-kërkuesve.

Ndërsa kryeministri Enrico Letta tha se Presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso do të vizitojë Lampeduzën të mërkurën, dhe akuzoi Libinë për vërshimin e azil-kërkuesve drejt Italisë.

Italia ka kërkuar që çështja e refugjatëve të jetë në rendin e ditës së një takimi të ministrave të Brendshëm evropianë në Luksemburg të martën dhe të një takimi të nivelit të lartë të Bashkimit Evropian në fund të këtij muaji.

Autoritetet lokale në Lampeduza u përpoqën të përballonin mbërritjen e refugjatëve të tjerë. Qendra e refugjatëve mund të strehojë 250 veta, por tani aty ka më shumë se 1 mijë veta, mes tyre edhe ata që kanë mbërritur para aksidentit të së enjtes. Shumë prej tyre janë detyruar të flenë përjashta.

40 prej 155 të shpëtuarve, që shoqërojnë të rinj të moshes 11 deri 17 vjeçare, janë mes atyre që jetojnë në kushte të rënda në një qendër të mbikqyrur nga roje të shumta.
XS
SM
MD
LG