Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo, i bëri thirrje komunitetit ndërkombëtar të mbështesë popullin venezuelian dhe të njohë qeverisjen e përkohshme të udhëheqësit të opozitës, Juan Guaido, dhe qëndresën e tij ndaj Presidentit Nicolas Maduro.
“Tashmë është koha që çdo vend të zgjedhë anën e tij”, u shpreh zoti Pompeo gjatë mbledhjes së Këshillit të Sigurimit. “Jo më vonesa, jo më lojëra. Ose qëndroni me forcat e lirisë, ose gjendeni në kategorinë e Maduros dhe kaosit të tij”.
Disa qeveri evropiane, ndër to Britania, Spanja, Gjermania dhe Franca janë shprehur se do ta njohin udhëheqësin e opozitës të Venezuelës si President, nëse nuk shpallen zgjedhjet brenda tetë ditësh.
Kryeministri spanjoll Pedro Sanchez dhe presidenti francez, Emmanuel Macron thanë se janë të gatshëm ta njohin Juan Guaidonë si udhëheqës të Venezuelës.
Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo ka emëruar diplomatin me përvojë Elliott Abrams si të dërguar të posaçëm për politikën e jashtme amerikane ndaj Venezuelës, me detyrën për të ndihmuar në “rivendosjen e demokracisë”, në vendin e Amerikës së Jugut.
Sekretari Pompeo e quajti regjimin Maduro një “shtet mafioz ilegjitim” dhe kritikoi vendet që e mbështesin atë, ndër to Rusinë, Kinën, Iranin dhe Kubën.
Takimi i pazakontë i Këshillit të Sigurimit u bë me kërkesë të Shteteve të Bashkuara.
Facebook Forum