Papa Françesku ka mbërritur në Irlandë për vizitën e parë papale në vend në gati katër dekada. Qindra mijëra njerëz dolën ta presin presin Papën, por pritet do të ketë edhe demonstrime dhe vigjilje nga të mbijetuarit e abuzimeve seksuale të klerikëve, në një vend ku qëndrimet e Kishës Katolike po ndryshojnë. Irlanda është në qendër të krizës së abuzimit seksual të Kishës; ky institucion është nën kritika në të gjithë globin për dështimin që të mbrojë fëmijët, ose për të ndëshkuar peshkopët që fshehën krimet.
Në 1979, më shumë se tre të katërtat e popullsisë irlandeze u mblodhën për të parë Papën Gjon Pali të II-të, në një kohë kur divorci dhe kontraceptivët ishin të paligjshme..
Sot, Irlanda nuk është aq shumë katolike sa më parë, dhe gjatë tre viteve të fundit, votuesit kanë miratuar abortin dhe martesat homoseksuale në referendume, duke sfiduar vullnetin e Kishës.
Papa Françesku ndodhet në Irlandë për një vizitë dy-ditore, ku do të takohet me presidentin e Irlandës Michael D. Higgins dhe kryeministrin Leo Varadkar, i cili ka premtuar ta sfidojë Papën për të bërë më shumë në trajtimin e krizës së abuzimeve seksuale.
Viktimat e skandalit të abuzimit seksual të klerikëve të Kishës Katolike po i bëjnë thirrje Papa Françeskut të mbajë një qëndrim të fortë kundër priftërinjve që kanë kyer këtë krim, gjatë vizitës së tij në Irlandë.
Vizita e Papa Françeskut vjen në një kohë kur krizat e abuzimit seksual të kohëve të fundit në Shtetet e Bashkuara, Kili dhe Australi i kanë kujtuar popullit irlandez skandalet e ngjashme që kanë ndodhur në vendin e tyre.
Qindra mijëra njerëz dolën për të parë Papën, por janë planifikuar edhe demonstrata.
Shumë viktima të abuzimeve, familjet dhe mbështetësit e tyre po i bëjnë thirrje Papës të bëjë më shumë dhe jo vetëm të mbajë një takim privat me një grup të zgjedhur të të mbijetuarve. Protestuesit do të mblidhen në Dublin, ndërsa Papa do të mbajë Meshën e së dielës, duke i kërkuar atij të ndërmarrë veprime konkrete kundër abuzimeve seksuale.
Sot, Papa Françesku tha se ai ndante “turpin dhe dhimbjen” e “dështimit” të Kishës Katolike në trajtimin e skandaleve të abuzimit seksual.
“Dështimi i autoriteteve kishtare ... për t’i trajtuar këto krime të neveritshme, me të drejtë ka shkaktuar zemërim ndaj Kishës dhe kjo mbetet një burim dhimbjeje dhe turpi për komunitetin e katolikëve”, - tha Papa, duke qëndruar pranë kryeministrit irlandez Leo Varadkar.
Vizita e Papa Françeskut në Irlandë fillimisht kishte për qëllim të përqëndrohej në Takimin Botëror të Familjeve, i cili mbahet një herë në tre vjet për të diskutuar çështje me rëndësi për institucionin e familjes. Megjithatë, skandalet e kohëve të fundit të abuzimeve seksuale në mbarë botën e kanë zhvendosur fokusin, mes të tjerash, tek përgjigja e Vatikanit ndaj kësaj çështjeje.
Facebook Forum