Lidhje

Popullsia në Shtetet e Bashkuara arrin në mbi 308 milion banorë


Popullsia në Shtetet e Bashkuara arrin në mbi 308 milion banorë
Popullsia në Shtetet e Bashkuara arrin në mbi 308 milion banorë

Çdo 10 vjet qeveria amerikane zhvillon numërimin e popullsisë dhe në pyetësor njerëzit u përgjigjen pyetejeve që kanë të bëjnë me mënyrën e tyre të jetesës. Rezultatet e numërimit të popullsisë të zhvilluara në vitin 2010 ende po organizohen dhe studiohen.

Shtetet e Bashkuara kanë filluar të grumbullojnë të dhëna për regjistrimin e popullsisë që në vitin 1790, siç kërkohet me Kushtetutë. Regjistrimi i popullsisë vitin e kaluar ishte i 23-ti në historinë e vendit. Numri i popullsisë duke filluar që nga 1 prilli i vitit të kaluar, që njihet si dita zyrtare e regjistrimit, ishte 308 milionë e 745 mijë e 538 vetë. Popullsia amerikane është rritur me 27 milionë vetë gjatë 10 viteve të fundit. Kjo ishte një rritje prej më tepër se 9 për qind që nga regjistrimi i popullsisë në vitin 2 mijë.

Rritja e popullsisë në SHBA është ngadalësuar që nga regjistrimi i fundit. Në dhjetëvjeçarin e mëparshëm, mes vitit 1990 dhe 2 mijë, popullsia e vendit u rrit me rreth 13 për qind. Në fakt, dekada e vetme me një rritje më të ngadalshme ishte mes viteve 1930 dhe 1940, kur popullsia u rrit me 7 për qind, në periudhën e Depresionit të Madh.

Shteti i Nevadës pati rritjen më të madhe në dekadën e kaluar, me një rritje prej rreth 35 për qind. Shteti amerikan me popullsinë më të madhe është Kalifornia, ku jetojnë më tepër 37 milionë banorë. Ndërsa shteti me popullsinë më të vogël mes 50 shteteve amerikane është Wyoming, me rreth 1 milionë banorë.

Lind pyetja, përse i duhen këto shifra qeverisë federale? Rezultatet e regjistrimit të popullsisë në SHBA përcaktojnë se sa vende do të ketë secili nga shtetet në Dhomën e Përfaqësuesve. Po ashtu shifrat janë të nevojshme për ndarjen e buxhetit prej më tepër se 400 milionë dollarësh në vit të qeverisë federale. Sa më i madh të jetë numri i banorëve, aq më tepër fonde merr ai shtet. Këto fonde federale përdoren për ndërtimin e rrugëve, shkollave dhe për shërbimin shëndetësor.

Zyrtarët thonë se në regjistrimin e popullsisë vitin e kaluar mori pjesë rreth 70 për qind e popullsisë amerikane. Për këtë regjistrim u kontaktuan rreth 134 milionë familje. Formularët e regjistrimit dërgohen me postë dhe punonjësit që merren me regjistrimin shkojnë tek ato familje që nuk i dorëzojnë formularët. Për herë të parë vitin e kaluar, Zyra e Statistikave dërgoi miliona formularë në dy gjuhë, në anglisht dhe në spanjisht. Por njerëzit mund të kërkonin formularë në 59 gjuhë të tjera, si kinezçe, koreançe dhe rusisht.

Regjistrimet e popullsisë publikohen të plota pas 72 vjetësh. Para këtij afati, ligji federal e ndalon Zyrën e Statistikave t’ua bëjë të njohura të dhënat individuale agjencive të tjera, si ajo e imigracionit, apo ajo e anti-terrorizmit.

Zyra e Statistikave ka një numër të madh ekspertësh, të cilët studjojnë informacionet e grumbulluara rreth popullsisë. Marc Peri është demograf dhe Shef i Seksionit të Shpërndarjes së Popullsisë. Ai thotë se Zyra e Statistikave filloi të publikojë informacione më të detajuara muajin e kaluar. Përfundimet e regjistrimit të popullsisë do të vazhdojnë të publikohen gjatë të gjithë vitit.

"Jemi duke i nxjerrë përfundimet gradualisht. Tani për tani ende nuk e kemi të qartë hartën e popullsisë së vendit, por me ardhjen e të dhënave nga të gjitha shtetet, do të kemi një pamje më të qartë."

Zyra e Statistikave kohët e fundit ka vendosur në faqen e saj në internet një hartë interaktive, që tregon numërimin e popullsisë lokale. Përdoruesit mund të shohin atje numrin e popullsisë së distriktit të tyre dhe ndryshimet nga vitet 1960 deri më 2010. Informacioni i të gjitha shteteve ende nuk ka përfunduar, por demografi Mark Peri thotë se demografët kanë gjetur prirjen e qartë që vihet re në rritjen e popullsisë.

"Prirja e dukshme në mbarë SHBA, është rritja më e shpejtë e popullsisë në jug dhe në perëndim të vendit."

Në pjesën më të madhe të vendit, përfshi zonën verilindore dhe atë mesperëndimore, rritja e popullsisë është e vogël. Regjistrimi i popullsisë këtë herë shënoi për herë të parë në historinë amerikane një numër popullsie më të madhe në pjesën perëndimore të vendit se sa në atë mesperëndimore.

Lëvizjet e popullsisë ndodhin për arsye të ndryshme. Por zoti Peri thotë se arsyet ekonomike janë shkaku kryesor. Shumica e popullsisë lëvizëse është e moshës së punës.

"Lëvizja e popullsisë ndodh edhe për shkak të klimës, për të qenë më pranë familjes, apo kur njerëzit duan të blejnë një shtëpi më të madhe. Por shumica e njerëzve nën moshën 60, apo 65 vjeçare, lëvizin në kërkim të punës."

Përfundimet e regjistrimit të popullsisë tregojnë se disa qytete tërheqin më tepër të rinjtë. Ato janë Denveri, Las Vegasi, Orlando, Atlanta dhe Washingtoni. Në disa qytete të tjera, si Saint Luis i Misurit dhe Birmingami i Alabamës, numri i popullsisë po zvogëlohet. Të moshuarit, për të cilët puna nuk është më pjesë e jetës së tyre, kanë arsye të tjera përse lëvizin nga një zonë në tjetrën.

"Për të moshuarit klima është një arsye e lëvizjes, për të qenë më pranë familjes dhe një faktor tepër i rëndësishëm për ta është të qenit pranë burimeve të shërbimit shëndetësor."

Një nga përfundimet e regjistrimit të popullsisë vitin e kaluar është rënia e numrit të popullsisë në disa zona, ngaqë ka më tepër vdekje se sa lindje.

Një tjetër ndryshim që ka ndodhur në SHBA kohët e fundit, është se grupi më i madh i pakicave etnike janë hispanikët. Ata vijnë nga Meksika, ose nga vende të tjera të Amerikës Latine. Por kjo prirje ka të bëjë edhe me ritmin më të madh të lindjeve mes hispanikëve, krahasuar me popullsinë amerikane në përgjithësi. Shteti i Teksasit, psh, në kufi me Meksikën, gjatë 10-vjeçarit të fundit pati një rritje popullsie prej mbi 4 milionë banorësh dhe hispanikët përfaqësonin 65 për qind të kësaj rritjeje.

Zyra e Statistikave pret që brenda më pak se 40 vjetësh, pakicat raciale dhe ato etnike të përbëjnë shumicën e popullsisë amerikane. Por edhe më shpejt, ekspertët e popullsisë parashikojnë që gjysma e të gjithë fëmijëve amerikanë do të bëjnë pjesë në grupet e pakicave.

Do t’ju njohim tani me disa nga rezultatet e regjistrimit të popullsisë në fushën e gjinisë. Sipas këtij regjistrimi, në SHBA ka 4 milionë gra më tepër se sa burra, rreth 157 milionë gra. …Dhe gratë votojnë më teper sa sa burrat. Në zgjedhjet e fundit presidenciale votuan 66 për qind e grave dhe 62 për qind e burrave.

Gratë në SHBA, po ashtu janë më të arsimuara se burrat, ato kanë më tepër diploma universitare dhe pasuniveristare. Ndërsa burrat kanë më tepër doktorata. Megjithatë, sipas të dhënave qeveritare, gratë në SHBA pagohen 77 cent, në çdo 1 dollar që marrin burrat.

Demografi Mark Peri thotë se Zyra e Statistikave shpreson t’i bëjë të njohura rezultatet e regjistrimit të popullsisë deri në fund të muajit mars.

XS
SM
MD
LG