Lidhje

Sfidat e Presidentit të Ukrainës


Të shtunën (më 7 qershor) Petro Poroshenko bëri betimin si presidenti i Ukrainës. Në këtë kronikë nga Uashingtoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës Andre de Nesnera i hedh një vështrim shefit të ri ekzekutiv të Ukrainës dhe disa prej problemeve me të cilat do të përballet ai në muajt në vazhdim.

Petro Poroshenko është një biznesmen miliarder si dhe një politikan veteran.

Anders Aslund, me Institutin Peterson për Ekonomitë Ndërkombëtare e ka njohur atë që prej një dekade.

“Ai shkon mire me të gjithë. Është shumë karizmatik. Është një ekzekutiv i zoti. Mund të thuash se është i djathtë centrist. Ka shumë pak armiq. Arrin marrëveshje dhe ka qënë shumë i suksesshëm si biznesmen kryesisht me çokollatat në Ukrainë.”


Zoti Poroshenko ka në pronësi kompaninë më të madhe të sheqerkave, Roshen, si dhe Channel Five – një nga stacionet më popullore televizive në Ukrainë dhe një partnere me Zërin e Amerikës. Ai ka interesa të tjera ekonomike, përfshi ndërtimet. Pasuria e tij llogaritet të jetë 1.3 miliardë dollarë, duke e bërë atë personin e shtatë më të pasur në Ukrainë.

Zotio Poroshenko ka gjithashtu përvojë në qeveri, pasi ka shërbyer si ministër i Jashtëm dhe ministër i Tregëtisë. Ai ishte mbështetës i fuqishëm i Revolucionit Portokalli që solli Viktor Yushchenkon dhe Yulia Tymoshenkon në pushtet në vitin 2004. Ai luajti rol kryesor në protestat në sheshin qëndror të Kievit, që rrëzuan nga pushteti Viktor Yanukovich-in në muajin shkurt.

Zoti Poroshenko shihet si një prej oligarkëve të Ukrainës. Por Steven Pifer, ish ambasadori amerikan në Ukrainë gjatë administrates së presidentit Klinton, thotë se ai nuk është oligark në kuptimin e ngushtë të fjalës.

"Shumë oligarkë i kanë fillimet e tyre në vitet 1990. Ata përfituan nga diferenca ndërmjet çmimeve shtetërore dhe atyre të tregut botëror. Në se mund të blije mallra – naftë apo diçka tjetër me çmimet shtetërore në Ukrainë në fillim të viteve 1990 dhe t’i shisje me çmimet botërore mund të fitoje shumë. Mendoj se Poroshenko faktikisht e vuri pasurinë duke punuar shumë dhe duke krijuar ide me sens të mirë biznesi. Ai ndoqi një rrugë më pak normale për t’u bërë një oligark".

Poroshenko u zgjodh president i Ukrainës, duke marrë 55 përqind të votave – duke shmangur nevojën për balotazh.

Ekspertët thonë se zoti Poroshenko përballet me sfida të mëdha përpara. Kryesorja është si do t’i jepet fund dhunës në rajonet lindore të Donetskut dhe Luhanskut, skenë e luftimeve mes separatistëve të armatosur dhe ushtrisë ukrainase.

Zoti Poroshenko thotë se vizita e tij e parë si president do të jetë në Donetsk.

Përsëri ish ambasadori amerikan Steven Pifer.

“Ai ka mundësinë të shkojë atje dhe t’u zgjasë dorën. Të bindë njerëzit se ai i dëgjon shqetësimet e tyre. Ai do të jetë president jo vetëm i Ukrainës perendimore dhe qëndrore, por ai do të jetë president i gjithë Ukrainës.”

Një sfidë tjetër, thonë ekspertët, është sesi do të balancojë Poroshenko politikën e tij të lidhjeve më të ngushta me Bashkimin Evropian, ndërkohë që përmirëson marrëdhëniet me Rusinë në një kohë kur Moska po përpiqet të destabilizojë Ukrainën.

Zoti Poroshenko thotë se do të nënshkruajë një marrëveshje asociimi me BE-në këtë muaj – një marrëveshje që mes të tjerash krijon një zonë të tregëtisë së lirë mes BE-së dhe Ukrainës.

Ambasadori Pifer thotë se pyetja kryesore është si do të reagojë presidenti rus Vladimir Putin në se Poroshenko nënshkruan marrëveshjen?

“I vetmi presion rus mbi qeverinë në detyrë të Ukrainës erdhi në shkurt pasi u pa qartë që pasi morri detyrën qeveria, pasi u largua Yanukovich ajo do të ndiqte alternativën e Bashkimit Evropian për të nënshkruar marrëveshjen e asocimit. Kur kjo u bë e qartë, ndodhi aneksimi i Krimesë, ndërprerja e eksporteve ukrainase në Rusi, rritja e çmimeve të gazit dhe mbështetja për separatistët në Ukrainën lindore.”

Ambasadori Pifer thotë se për presidentin rus Vladimir Putin, nënshkrimi i marrëveshjes së asociimit shënon fillon e lëvizjes së Ukrainës jashtë sferes së interesave të Moskës – diçka që ai nuk do që të ndodhë. Zoti Pifer thotë se duhet të presim dhe të shohim çfarë do të bëjë zoti Putin – në se bën diçka për të ndaluar nënshkrimin e marrëveshjkes me BE-në.
XS
SM
MD
LG