Lidhje

Kolegji elektoral dhe zgjedhja e presidentit


Ka më shumë se një muaj që miliarderi Donald Trump arriti fitoren e papritur mbi zonjën Hillary Clinton, duke i dhënë fund njërës prej fushatave presidenciale më të diskutueshme në historinë amerikane.

Vërtet çdo gjë është vulosur?

Ende jo. Rezultati i zgjedhjeve do të bëhet zyrtar vetëm ditën e hënë, kur të 538 anëtarët e Kolegjit Elektoral të mblidhen në shtetet e tyre për të hedhur votat dhe do të jenë këto vota që do të vendosin presidentin e ardhshëm.

Kolegji Elektoral shihet më tepër si një formalitet dhe zakonisht amerikanët nuk i kushtojnë ndonjë vemendje. Por këtë vit, ka një përpjekje të fundit për ta përdorur Kolegjin me qëllim që zoti Trump të mos e marrë presidencën.

Vështirë se kjo mund të bëhet realitet, por e ashtuquajtura revoltë në Kolegjin Elektoral po shton një pasiguri të re në një proces zgjedhor që ka qenë ndër më të paparashikueshmit në histori.

Revolta ka marrë shkas nga një grup i quajtur Elektorët e Hamiltonit, sipas emrit të njërit prej themeluesve të Amerikës, Aleksandër Hamilton. Ai ishte njëri nga arkitektët kryesorë të Kolegjit Elektoral.

Hamiltoni dhe themeluesit e tjerë të Amerikës e krijuan Kolegjin Elektoral, si një kompromis midis atyre që kërkonin zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit dhe atyre të cilët donin që presidenti të zgjidhej nga Kongresi.

Një sistsem i tillë u krijua edhe si masë mbrojtëse për të mos lejuar njerëzit e paaftë të zgjidheshin në postin më të lartë. Pikërisht këtë pikë po theksojnë tani Elektorët e Hamiltonit.

Në një deklaratë të këtij grupi të publikuar në faqen e tyre të internetit thuhet: "Ne respektojmë vizionin e Aleksander Hamiltonit se Kolegji Zgjedhor duhet, kur është e nevojshme, të veprojë si një masë mbrojtëse kushtetuese ndaj atyre të cilëve u mungojnë cilësitë për t’u bërë president.”

Klauzola e pagesave dhe honorareve

Ja se si funksionon kolegji zgjedhor: Kur amerikanët hedhin votat e tyre në nëntor, ata teknikisht nuk votojnë për kandidatët presidencialë. Ata votojnë për elektorët, ose përfaqësuesit, numri i të cilëve është në përpjekstim me popullsinë e secilit shtet. Këta elektorë, nga ana e tyre, zakonisht votojnë për fituesin e votës popullore në shtetin e tyre.

Nëse zoti Trump merr të gjitha votat elektorale nga shtetet ku fitoi votën popullore, ai do të ketë 306 vota elektorale, pra mbi 270 votat që janë të nevojshme për një shumicë të thjeshtë.

Kjo do të thotë se që revolta në Kolegjin Elektoral të ketë sukses, 37 elektorë, të cilët normalisht do të votonin për zotin Trump, do të duhet të mos e japin votën për të.

Deri tani, janë vetëm pak elektorë republikanë që kanë shpallur publikisht se do ta bëjnë këtë.

Një prej tyre është Christopher Suprun, punonjës shëndetësie në shërbimin e emergjencës, që jeton në Dallas të Teksasit. Në një bisedë telefonike me Zërin e Amerikës, Suprun tha se zoti Trump është i pakualifikuar për të qenë president, sepse marrëdhëniet e tij financiare globale përbëjnë konflikt interesi.

"Klauzola e honorareve është arsyeja më objektive", thotë Suprun, duke iu referuar një pjese të Kushtetutës që ndalon zyrtarët e qeverisë të pranojnë dhurata apo kompensime nga një qeveri e huaj pa pëlqimin e Kongresit.

Suprun citon gjithashtu retorikën nxitëse të zotit Trump kundër grave, pakicave dhe të tjerëve.

Përfshirja e Rusisë

Përpjekja për revoltë në Kolegjin Zgjedhor po merr më shumë vëmendje këtë vit për shkak se zoti Trump humbi votën popullore ndaj zonjës Clinton me më shumë se 2 për qind. Kjo është hera e pestë në histori që ka një mospërputhje mes votave popullore dhe elektorale.

Tensionet u rritën më tej pas njoftimeve të javës së kaluar se Agjencia Qendrore e Zbulimit (CIA) besonte që qeveria ruse kishte përdorur sulme kibernetike kundër Partisë Demokrate, për të ndihmuar fitoren e zotit Trump.

Në mënyrë të veçantë, raportet flisnin për sulme kibernetike kundër Komitetit Kombëtar Demokrat dhe kreut të fushatës së demokratëve, John Podesta. Sulmet rezultuan në rrjedhje informacioni që dëmtonin kandidaten Clinton.

Zoti Trump e ka quajtur të pajustifikuar përfundimin që thuhet se është arritur nga CIA. Ai ka thënë se nuk ka prova që Rusia të ketë qenë e përfshirë, aq më tepër të ketë mbështetur kandidaturën e tij.

Por kjo nuk e ka ndalur një numër në rritje elektorësh të shprehin shqetësime në lidhje me përfshirjen e Rusisë në zgjedhjet e 8 nëntorit. Deri dje, 67 elektorë kishin nënshkruar një peticion, ku kërkonin të informoheshin mbi të dhënat e zbulimit në prag të votimit të ditës së hënë.

Përveç njërit, të gjithë elektorët që kanë nënshkruar peticionin janë demokratë, një fakt që tregon ndoshta se revolta në Kolegjin Zgjedhor nuk ka bërë ndonjë përparim.

Elektorët

Profesori i së drejtës kushtetuese në Harvard, Lawrence Lessig, ka lënë të kuptohet se janë më shumë se 20 elektorë republikanë që po shikojnë mundësinë të ndryshojnë mendje në lidhje me zotin Trump. Megjithatë, njoftimi nuk është konfirmuar.

Nëse elektorët nuk ia japin votën zotit Trump, ata nuk përballen me ndonjë dënim, në bazë të ligjit federal. Megjithatë, 29 shtete si dhe Distrikti i Kolumbias kanë ligje që ushtrojnë shkallë të ndryshme kontrolli mbi votën e elektorëve.

Duke patur parasysh këto ligje, revolta anti-Trump nuk ka gjasa të ketë sukses, thotë Larry Tribe, një tjetër profesor i Harvardit. Por ai shton se elektorët “kanë përgjegjësi ndaj vendit dhe Kushtetutës në rrethana mjaftueshëm të skajshme”. “Dhe mendoj se kjo është një situatë mjaft e skajshme,” thotë profesori.

Në historinë amerikane, më shumë se 99 për qind e elektorëve kanë votuar për kandidatin që ka fituar në shtetin e tyre.

Më 6 janar, Kongresi do të bëjë numërimin e votave elektorale dhe do të shpallë zyrtarisht fituesin.

XS
SM
MD
LG