Lidhje

Presidenti Tadiç në Kosovë me rastin e krishtlindjeve ortodokse


Presidenti Tadiç në Kosovë me rastin e krishtlindjeve ortodokse
Presidenti Tadiç në Kosovë me rastin e krishtlindjeve ortodokse

Presidenti i Serbisë, Boris Tadiç, pritet të qëndrojë në Kosovë me rastin e Krishtlindjeve ortodokse që kremtohen të shtunën. Qeveria e Kosovës ka dhënë pëlqimin e saj për këtë vizitë me kushtin që ajo t’i përmbahet karakterit të saj fetar dhe të mos keqpërdoret për deklarime politike. Presidenti serb pritet të qëndrojë në Patrikanën e Pejës në mbrëmjen e së premtes, ndërsa të shtunën në mëngjes do të marrë pjesë në liturgjitë fetare në manastirin mesjetar të Deçanit. Zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuqi tha sot se kërkesa për vizitën është bërë nëpërmjet zyrave ndërlidhëse të Komisionit Evropian në Beograd e Prishtinë ndërsa shfaqi shpresën se ajo do të kalojë pa përsëritje të përvojave nga e kaluara kur janë bërë edhe deklarime politike.

“Është edhe një prej kërkesave tona që ai ta trajtojë këtë vizitë si religjioze, ta trajtojë si vizitë e karakterit jo-politik. Ne e dimë që ai mund të bëjë tejkalim, por megjithatë kemi garanci ndërkombëtare për një mesazh të tillë që i është dërguar drejtpërdrejt edhe atij”, tha zëvendëskryeministri Kuqi.

Vizita e presidentit serb Boris Tadic në Kosovë, ndodhë në një periudhë kur serbët në veriun e Kosovës kanë vendosur që të organizojnë një referendum me të cilin qytetarët serb në atë zonë do të deklarohen nëse duan apo jo të pranojnë institucionet e Kosovës. Kjo nismë që është kundërshtuar edhe nga pushteti në Serbi, sipas zëvendëskryeministrit të Kosovës Hajredin Kuqi nuk ka rrjedhoja pozitive për serbët në veri përveç vazhdimësisë së tensioneve.

“Unë mendoj që efekte legale dhe politike sa i përket neve dhe bashkësisë ndërkombëtare nuk ka, por i ka disa efekte që ata po mundojnë t’i arrijnë. E para, ta legjitimojnë një grup të strukturave paralele, jo përball nesh apo botës, por përball njëri tjetrit, e dyta është që ata tentojnë ta përdorin si mjet politik në të ardhmen për zhvillimet politike që mund të jenë dhe mbi gjitha është një tendencë për ta mbajtur një kohezion të komunitetit serb atje. Ne i ftojmë qytetarët serb që të mos bëjnë veprime të tilla që nuk shkaktojnë asnjë pasoj pozitive për ata, përkundrazi krijojnë tensione. Unë jam i bindur që këto do ta luajnë rolin pozitiv edhe bashkësia ndërkombëtare, por edhe ne, por edhe vet Serbia nuk do të ndërhyj”, tha ai.

Përfaqësuesit e serbëve në veri që po vazhdojnë të mbajnë të bllokuara rrugët në atë zonë në shenjë kundërshtimi ndaj shtrirjes së autoritetit të Prishtinës, thanë se referendumi do të forconte edhe pozicionin e Serbisë në bisedimet me Kosovën ndërsa u shprehën të habitur me kundërshtimin e pushtetit në Serbi. Por, përfaqësuesit e qeverisë së Serbisë thanë se referendumi është i panevojshëm duke e cilësuar atë si i vendim politik të opozitës serbe e cila, siç thuhet, me hapa të tillë vetëm sa po synon ta bllokojë rrugën evropiane të Serbisë. Serbia dështoi të marrë muajin e kaluar statusin e vendit kandidat për anëtarësim në Bashkimin Evropian për shkak të zhvillimeve në veriun e Kosovës.

Pjesa e dytë e muajit janar pritet të shënojë një periudhë të re bisedimesh ndërmjet të dyja palëve, ndërsa muaji shkurt është paralajmëruar si periudhë e shqyrtimit të sërishëm të qasjes së Serbisë ndaj Kosovës dhe shkallës së përmbushjes së kritereve për afrim me strukturat e Bashkimit Evropian.

XS
SM
MD
LG