Lidhje

Presidenti Bamir Topi uron shqiptarët


Presidenti Bamir Topi uron shqiptarët
Presidenti Bamir Topi uron shqiptarët

Në Shqipëri presidenti Bamir Topi uroi që Viti i Ri ta shpjerë vendin më afër idealit europian duke kujtuar se vendimi i heqjes së vizave është një moment për të cilin ky ndërrim vitesh do të mbahet mend. Në mesazhin e tij të fundvitit kreu i shtetit u shprehu urimet të gjithë shqiptarëve kudo që ndodhen duke kërkuar nga klasa politike që të ndërgjegjësohet për rolin që ka ndaj vendit dhe popullit të vet.

Presidenti Bamir Topi iu drejtua sonte me një mesazh urimi në prag të ndërrimit të viteve të gjithë shqiptarëve. Një urim i cili shkon për familjet shqiptare, për fëmijët, për emigrantët, për ushtarakët që ndodhen në misione jashtë vendit pa lënë mënjanë shumë e shumë familje në zonën Shkodrës të cilat këtë muaj u prekën sërish nga përmbytjet masive. ”Gjej rastin t’i siguroj ata për vëmendjen dhe mbështetjen time deri sa problemet e tyre të zgjidhen, deri sa pasojat e dëmeve të zvogëlohen”, tha Presidenti.

Presidenti Topi veçoi vendimin e heqjes së vizave i cili sic u shpreh ai do të shkruhet me gërma të arta në historinë moderne të vendit: “Ky ndërrim vitesh do të mbahet mend gjatë edhe për këtë fakt. Asnjëherë vëmendja e Evropës ndaj Shqipërisë nuk ka qenë kaq e madhe, e po kaq e madhe edhe dëshira e shqiptarëve për t’u integruar. Le ta vlerësojmë këtë moment dhe ta shndërrojmë atë në një akt vetëdijësimi historik”.

Në një vit ku politika ishte protagoniste e një krize të gjatë, me debate dhe konflikte pa fund, presidenti Topi nuk mund ta shmangte atë në mesazhin e tij: “E ftoj klasën politike shqiptare, që të ndërgjegjësohet edhe më shumë për rolin historik që ka ndaj vendit dhe popullit të vet!” tha ai.

Në fund, urimi i kreut të shtetit është që e gjithë shoqëria të angazhohet që vendi të jetë sa më pranë idealit europian. “Me dëshirat tona më të zjarrta, me energjitë tona më të bashkuara, me inteligjencën, talentin dhe virtytet që na kanë karakterizuar në çdo kohë, le ta fillojmë këtë Vit të Ri me bindjen se ai do të na shpjerë më pranë idealit tonë evropian, idealit të bukur të një shoqërie më të drejtë, më të hapur, më demokratike! Kjo është rruga që të gjithë së bashku kemi zgjedhur. Me këtë rast, në këtë natë të ndërrimit të viteve, dëshiroj nga zemra t’u uroj të gjithëve gëzuar!” tha Presidenti Topi.

XS
SM
MD
LG