Lidhje

Presidenti Barak Obama shpalos synimet e tij për vendin


Presidenti Barak Obama shpalos synimet e tij për vendin
Presidenti Barak Obama shpalos synimet e tij për vendin

Presidenti amerikan Barak Obama shfrytëzoi fjalimin e tij të dytë mbi gjendjen e vendit për të shpalosur synimet e tij për Shtetet e Bashkuara dhe për të bërë thirrje për investime në novacione, hulumtime, zhvillim dhe infrastrukturë.

Në fjalimin e përvitshëm që mbajti të martën në sallën e Dhomës së Përfaqësuesve në ndërtesën e Kongresit amerikan, Presidenti Obama foli për gjendjen e ekonomisë dhe tha se Shtetet e Bashkuara janë në rrugë të duhur për përparim. Por ai shtoi se vendi duhet të angazhohet më shumë për të ruajtur rolin udhëheqës dhe për t’i bërë ballë konkurrencës botërore në të ardhmen.

“Na duhet ta bëjmë Amerikën vendin më të mirë në botë për biznes. Duhet të marrim përgjegjësi për deficitin dhe për të reformuar qeverinë. Kështu populli ynë do të përparojë. Kështu do ta fitojmë të ardhmen.”

Zoti Obama tha se nuk dihet nëse industritë dhe vendet e reja të punës do të zënë fill në Amerikë ose në ndonjë vend tjetër.

Ai përmendi Kinën dhe Indinë si vende që kanë investuar në arsim, hulumtime dhe teknologji të reja për t’u bërë më konkurrente në botë. Mirëpo, ai tha se konkurrenca për vende pune nuk duhet t’i shkurajojë amerikanët, por t’i sfidojë ata.

Ai tha se investimet në hulumtime dhe në arsim mund t’i sjellin përfitime të shumta Shteteve të Bashkuara. Presidenti rikujtoi sesi sovietikët ua kaluan amerikanëve më 1957 me dërgimin në hapësirë të satelitit Sputnik, por se investimet amerikane më vonë e bënë të mundshme që Shtetet e Bashkuara të fitonin garën për të arritur në hënë. Ai tha se ato investime “sollën një valë risish” që krijuan industri të reja dhe miliona vende pune. Ai tha se brezi i sotshëm ndodhet në një çast vendimtar si në kohën e Sputnikut.

Sa i përket reformës në shëndetësi – të cilën republikanët thonë se duan ta shfuqizojnë ose ta zëvendësojnë – ai tha se është i hapur ndaj ideve për përmirësimin e ligjit, por se nuk është i gatshëm të mënjanojë aspektet që thotë se e kanë përmirësuar mbulimin me sigurim shëndetësor.

Duke folur për marrëdhëniet me jashtë, zoti Obama tha se Shtetet e Bashkuara kanë përmbushur detyrimin e tyre ndaj Irakut, ndërsa luftës atje po i vjen fundi, dhuna është pakësuar dhe është formuar një qeveri e re. Ai tha se Shtetet e Bashkuara janë duke e vazhduar luftën kundër Al-Kaidës. Presidenti tha se Shtetet e Bashkuara e kanë bërë të qartë se nuk do të zbrapsen dhe se do të mposhtin grupin terrorist.

Ndërkohë, në përgjigjen e republikanëve ndaj fjalimit të presidentit, përfaqësuesi nga Uiskonsin, Pol Rajën, akuzoi administratën për shpenzime të tepërta dhe tha se vendi duhet “të gjejë një rrugë të re” e jo të varet nga burokracia për të mbështetur novacionet, përballimin e konkurrencës dhe përcaktimin e zgjedhjeve të konsumatorëve.

Si rrjedhojë e një incidenti me armë zjarri në fillim të muajit me ç’rast u plagos përfaqësuesja nga Arizona, Gabrielle Giffords, disa demokratë dhe republikanë u ulën së bashku gjatë fjalimit.

XS
SM
MD
LG