Lidhje

Presidenti Gjorgje Ivanov bën betimin


Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov e filloi sot mandatin e dytë presidencial. Ai e bëri betimin në Parlament dhe mbajti një fjalim para deputetëve, ndërkohë që ceremoninë e bojkotoi Bashkimi Demokratik për Integrim si dhe opozita maqedonase, e cila nuk i ka pranuar mandatet e ligjvënësve të saj. Zoti Ivanov tha se legjitimiteti i tij vjen nga votat e zgjedhësve, ndërsa u bëri thirrje faktorëve politikë që të lënë anash interesat personale dhe të kontribuojnë për shtetin.
Bën betimin Gjorge Ivanov
please wait

No media source currently available

0:00 0:04:19 0:00


Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov e filloi sot mandatin e dytë të fituar në zgjedhjet e 27 prillit. Ai e bëri betimin në Parlament dhe mbajti fjalimin ceremonial në sallën gjysmë të zbrazur: Bashkimi Demokratik për Integrim, siç kishte paralajmëruar, e bojkotoi ceremoninë, ndërsa deputetët e Lidhjes Social Demokrate të opozitës dhe një deputet i Rilindjes Demokratike Kombëtare nuk i marrin mandatet e ligjvënësit dhe nuk paraqiten fare në Parlament.

Presidenti Ivanov tha se ata të cilët mendojnë se e bojkotojnë institucionin e presidentit, në fakt i bojkotojnë qytetarët, për shkak se këta të fundit votuan dhe ua dhanë besimin atyre. Bojkoti i institucioneve, vazhdoi më tej ai, paraqet bojkot ndaj demokracisë dhe ndaj vullnetit të qytetarëve. Ai theksoi se në bazë të kushtetutës legjitimitetin e merr drejtpërdrejt nga qytetarët, ndërsa tha se ka qenë dhe është rpesident i të gjithëve, pa marrë parasysh se për kë kanë dhënë votën. Ai bëri thirrje që të kapërcehen interesat e ngushta partiake, siç tha.

Bashkimi Demokratik për Integrim e përsëriti në një konferencë shtypi qëndrimin e njohur ndaj presidentit:

Për ne zoti Ivanov, edhe pse i zgjedhur në një proces legal, për shqiptarët është jolegjitim sepse nuk reflekton vullnetin e popullit të dytë më të madh në Maqedoni. Secili institucion që nuk ka vullnetin e dy komuniteteve sipas Marrëveshjes së Ohrit, është jolegjitim. Shqiptarët, me mbi 90% i thanë JO presidentrit të njëanshëm dhe ne do të respektojmë vullnetin e tyre. Pra, problemi i legjitimitetit të zotit Ivanov nuk është i yni por i atyre që besojnë se mund ta ushtrojnë autoritetin politik ndaj 90% të shqiptarëve të cilët i thanë JO presidentit të njëanshëm, tha Talat Xhaferi, deputet i PDSH-së.

Ndërkohë, Partia Demokratike Shqiptare e cila mori pjesë në ceremoni, tha se këtë e bën për shkak të qëndirmit parimor qysh gjatë zgjedhjeve.

“Kemi qenë kundër bojkotit dhe nuk kemi bërë shantazhe, kërcënime as terror mbi votutesit për të mos dalur në votime. Ne i kemi lënë të lirë qytetarët që të vendosin vetë se për cilin kandidat për president dëshirojnë të votojnë.. Presdienti është legjitim sepse e ka votuar pjesa dërrmuese e qytetarëve të Maqedonisë, tha Bekim Fazliu, deputet i PDSH-së.

Për VMRO-DPMNE-në, kandidat i së cilës ishte zoti Gjorgje Ivanov në zgjedhjet presidenciale, ky është presidenti i parë në historinë e sistemit pluralist të Maqedonisë, i cili zgjidhet për një mandat të dytë në zgjedhje të përgjithshme popullore dhe kjo, sipas deputetit Ilija Dimovski, paraqet simbol për qëndrueshmërinë e Maqedonisë dhe të institucioneve të saj.

Zyrtari i VMRO-së tha se partia e tij vlerëson se të gjitha partitë duhet ta pranojnë vendimin e qytetarëve të Maqedonisë në zgjedhjet presidenciale, ndërsa VMRO-ja u bën thirrje të gjithë faktorëve politikë që ta pranojnë vullnetin e pjesës dërrmuese të qytetarëve të Maqedonisë.

Ndërkohë, qëndrimi i BDI-së ndaj presidentit Ivanov paraqet problem për koalicionin e paralajmëruar të përbashkët qeveritar me VMRO-në, por zyrtarët e kësaj të fundit presin që kjo gjendje të kapërcehet brenda një kohe të shkurtër dhe BDI-ja ta njohë legjitimitetin e presidentit maqedonas.

VMRO-ja dhe BDI-ja kanë arritur një marrëveshje në parim për formimin e qeverisë së re, ndërsa ende janë në një fazë ku nuk kanë biseduar për ndarjen e resorëve, ministrive dhe pozitave të tjera të pushtetit ekzekutiv.

Qeveria e re duhet të miratohet deri në mes të qershorit.
XS
SM
MD
LG