Presidenti i ri i Republikës Serbe të Bosnjes, Milorad Dodik është zotuar të luftojë për autonomi të njësisë serbe nga qeveria qendrore në Sarajevë, edhe nëse kjo nënkupton se mund t’u mohohet antarësimi në Bashkimin Evropian.
Në fjalimin e tij me rastin e inaugurimit sot, zoti Dodik tha se “ata që ëndërrojnë për një Bosnje të centralizuar nën petkun e integrimit evropian, duhet ta dinë se asnjëherë, në asnjë rrethanë, Republika Serbe e Bosnjes nuk do të heqë dorë nga autonomia”.
Zoti Dodik, ish-kryeministër nacionalist që fitoi muajin e kaluar postin e presidentit, thotë se nuk sheh asnjë arsye që Bosnja të mos pranohet në Bashkimin Evropian si një bashkim federativ.
Në bazë të Marrëveshjeve të Dejtonit për paqe, të nënshkruara në vitin 1995, Bosnje-Hercegovina është e ndarë në 2 rajone gjysmë-autonome – Republikën Serbe të Bosnjes dhe Federatën Myslimano-Kroate, të administruara nga qeveri e dobët qendrore.