Lidhje

Presidenti i Turqisë Adullah Gul viziton Iranin


Presidenti i Turqisë Adullah Gul viziton Iranin
Presidenti i Turqisë Adullah Gul viziton Iranin

Presidenti turk filloi vizitën e tij tre ditore në Iran të hënën me synimin për të zhvilluar lidhjet politike dhe ekonomike me fqinjin e tij. Të dy vendet janë angazhuar të trefishojnë marrëdhëniet dy palëshe. Por vizita bëhet në një kohë kur aleatët perendimorë të Turqisë po kërkojnë izolimin ekonomik të këtij vendi për shkak të shqetësimeve lidhur me programin e debatueshëm të energjisë bërthamore të Iranit.

Presidenti turk Abdullah Gul shoqërohet nga më shumë se 100 afaristë në vizitën e tij tre-ditore në Iran. Turqia dhe Irani në fillim të muajit u angazhuan të trefishojnë tregëtinë mes tyre që aktualisht është në nivelin e 10 miliardë dollarëve, në 30 miliardë dollarë deri në vitin 2015. Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme turke Burak Ozgergin tha se angazhimi i Turqisë me Iranin është rruga më e mirë për të ecur përpara.

"Mënyra për t’i bërë iranianët të bashkëpunojnë nuk është kërcënimi me sanksione por oferta e bashkëpunimit. Me fjalë të tjera, duhet ndjekur politika e karrotës dhe jo e shkopit. Ajo që ne jemi të shqetësuar është se në Iran ka një opozitë të natyrshme për të bashkëpunuar me perëndimin."- tha ai.

Në një intervistë para vizitës së tij, zoti Gul tha se çështja bërthamore e Iranit duhet të zgjidhet përmes negociatave dhe Turqia do të vazhdojë të ndihmojë në këtë drejtim.

Turqia, një vend anëtar i Natos dhe kandidat për të hyrë në BE, e ka pozicionuar veten si ndërmjetës. Vitin e kaluar ajo ndihmoi në arritjen e një marrëveshje me Iranin. Por marrëveshja nuk u përfill nga komuniteti ndërkombëtar, ndërsa një diplomat i lartë evropian iu referua asaj si e dështuar.
Muajin e kaluar, raundi i fundit i bisedimeve mes Iranit dhe komunitetit ndërkombëtar dështoi, duke rezultuar në thirrje për sanksione të mëtejshme ekonomike kundër Teheranit.

Analisti Cengiz Aktar thotë se koha e vizitës së presidentit turk në Iran është një shenjë që tregon se sa larg janë hapat që ndërmerr Turqia nga ato të aleatëve perendimorë:

"Mendoj se besimi i madh në vetvete është një cilësi shumë e keqe, veçanërisht në marrëdhëniet ndërkombëtare. Turqia po bëhet një vend i fuqishëm, por e vetme nuk është asgjë. Turqia, pak si Gjermania dhe Franca, është një vend me fuqi mesatare dhe nuk duhet ta ekzagjerojmë forcën e saj. Qeveria duhet ta kuptojë se shekulli i 21-të nuk është shekulli i të qënurit kalorës por ai i bashkëpunimit."

Megjithë lidhjet e ngushta me BE-në dhe Shtetet e Bashkuara, Turqia ka thënë se do të zbatojë vetëm sanksionet e OKB-së kundër Iranit. Në fillim të muajit, disa kompani turke u futën në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara për shkelje të sanksioneve kundër Iranit. Megjithë këtë lëvizje kryeministri turk tha se nuk do të ketë ndryshim të politikës.

"Të gjithë e dinë qëndrimin tonë për sanksionet",- tha ai.

Thellimi i lidhjeve ekonomike me Iranin pritet të përqëndrohet kryesisht tek energjia. Irani është furnizuesi i dytë më i madh i Turqisë me gaz natyror. Vëzhguesit thonë se Ankaraja kërkon që kompanitë turke të zhvillojnë sektorin energjitik të Iranit, veçanërisht tani që shumë konkurrentë ndërkombëtar janë tërhequr për shkak të sanksioneve. Ankaraja e sheh gjithashtu Iranin me një rol kyç në zhvillimin e Turqisë si një qendër energjitike rajonale. Ekonomisti i lartë Emre Yigit me kompaninë turke Global Securities thotë se kjo është edhe në interes të Evropës.

"Synimi kryesor i naftësjellësit Nabuko, për shembull, është të ofrojë alternativa të tjera për importet evropiane të gazit natyror larg nga Rusia dhe kjo duhet të përfshijë iranianët. Turqia do të veprojë sipas pikëpamjes evropiane. Njerëzit mund të votojnë për sanksione dhe përsëri të bëjnë planet e tyre mbi supozimin se në një periudhë afatgjatë sanksionet nuk do të jenë më aty.”

A po luan Turqia lojën e strategjisë afatgjatë, duke vepruar në interes të fqinjëve të saj, apo po bëhet gjithnjë e më shumë një shtet që vepron me kokën e vet? Vizita e presidentit turk në Iran do të mbështeste ndoshta të dyja argumentat. Por nëse mosmarrëveshjet rreth programit bërthamor të Iranit thellohen ashtu siç edhe pritet të ngjasë, vëzhguesit ndërkombëtar thonë se balanca e tanishme diplomatike që po përpiqet të mbajë Turqia, do të jetë shumë më e vështirë për t’u manovruar.




XS
SM
MD
LG