Lidhje

Obama përpiqet të fitojë mbështetjen e punëtorëve


Presidenti Barak Obama po përpiqet të sigurojë mbështetjen e punëtorëve, në prag të Kuvendit Kombëtar të Demokratëve që fillon nesër, ku ai do të marrë zyrtarisht emërimin e partisë së tij për një mandat të dytë në Shtëpinë e Bardhë.

Sot në Ditën e Punës, ai shkoi në Toledo të shtetit Ohio, qendra e pjesës së industrializuar të Shteteve të Bashkuara, për të qenë i pranishëm në një miting të punëtorëve të uzinave të pordhimit të makinave, të organizuar në sindikata.

Në Toledo e kanë qendrën uzinat e Chryslerit dhe General Motors, të cilat përfituan nga fondi i ndihmës qeveritare për industrinë e makinave në vitin 2009, ndërsa kjo industri ndodhej në vështirësi për shkak të konkurencës së huaj dhe krizës ekonomike botërore.

Para se të shkojë në Charlotte të Karolinës së Veriut, ku fillon të martën Kuvendi i Demokratëve, Presidenti po e vazhdon fushatën në shtetet më të rëndësishme, ku anketimet tregojnë se gara e tij me kandidatin republikan Mitt Romney po zhvillohet tepër e ngushtë.

Sonte zoti Obama shkon në Luiziana, në brigjet jugore të vendit, për të parë nga afër dëmet e shkaktuara nag uragani Isaac javën e kaluar. SHBA kanë ekonominë më të madhe në botë, por vitet e fundit ekonomia amerikane ka qenë në vështirësi. Niveli i papunësisë mbetet mbi 8 për qind, një shifër kjo e pazakontë. Ekonomia e dobët ka rrezikuar edhe shanset e presidentit për t’u rizgjedhur.

Ndërkohë, kandidati republikan Mitt Romney tha se Dita e Punës mbetet një ditë kur shënohet tradita e etikës së mirë të punës që kanë amerikanët. Por ai shtoi se për shumë amerikanë kjo ditë u sjell ndër mend atyre shqetësimin se kur do ta marrin pagën e ardhshme.

XS
SM
MD
LG