Lidhje

Presidenti Obama nënshkruan Marrëveshjen e Partneritetit Strategjik me presidentin Karzai


Presidenti amerikan Barak Obama shënoi përvjetorin e vdekjes së udhëheqësit të al-Kaidës Osama bin Ladenit me një udhëtim të shpejtë në Afganistan, duke nënshkruar një pakt strategjik me Kabulin dhe duke dhënë një mesazh në këtë vit elektoral për popullin amerikan se ritmi i luftës është në rënie.

Në fjalimin televiziv, transmetuar nga një bazë ajrore, zoti Obama tha se SHBA kanë "udhëtuar nëpërmjet më shumë se një dekade nën renë e errët të luftës. " Megjithatë, shtoi ai, "ne mund të shohim dritën e ditës së re në horizont".

Presidenti u tha amerikanëve se qëllimi i shkatërrimit të al-Kaidës është brenda mundësive. "Periudha e luftës filloi në Afganistan", deklaroi ai, "dhe këtu ajo do të përfundojë."

Ai foli pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Partneritetit Strategjik me homologun e tij afgan, Hamid Karzai.

Marrëveshja përfshin sigurinë, ekonominë dhe qeverisjen dhe parashikon edhe marrëdhëniet e SHBA me Afganistanin përtej vitit 2014, kur shumica e forcave të NATO-s janë planifikuar për të përfunduar rolin e tyre luftarak.

Në këtë marrëveshje nuk ka një angazhim të Shteteve të Bashkuara për një prani specifike të trupave ushtarake, por Amerika premton ndihmë për Afganistanin për një dekadë pas tërheqjes së ushtarëve të fundit amerikanë.

Marrëveshja i lejon SHBA të mbajë një numër të reduktuar të trupave në Afganistan pas përfundimit të luftës për trajnimin e vazhdueshëm të forcave afgane dhe operacionet e planifikuara kundër al-Kaidës.

Grupi terrorist është i pranishëm në Pakistanin fqinj, por ka vetëm një prani simbolike brenda Afganistanit.

XS
SM
MD
LG