Lidhje

Presidenti Obama sqaron bisedën me Presidentin rus


Presidenti Obama dha sot sqarime lidhur me një bisedë private me presidentin rus Dmitri Medvedev mbi mbrojtjen nga raketat, e cila u bë publike, ngaqë mikrofonët gabimisht ishin të hapur.

Në takimin e Seulit, zoti Obama i tha privatisht presidentit rus se ky është viti i fundit i zgjedhjeve për të dhe se ai do të kishte më tepër fleksibilitet pasi të zgjidhej. Më vonë, zoti Obama i tha gazetarëve se Shtetet e Bashkuara janë në mesin e fushatës së zgjedhjeve presidenciale, se Rusia sapo i ka mbajtur zgjedhjet dhe është tani në procesin e transferimit të pushtetit.

Ai tha se mjedisi i tanishëm politik nuk është i favorshëm për negociatat delikate mbi mbrojtjen nga raketat dhe kontrollin e armëve. Republikanët, të cilët duan të marrin kontrollin e Shtëpisë së Bardhë pas zgjedhjeve të nëntorit, kanë thënë se nuk duan të bëjnë ato që ata i cilësojnë lëshime ndaj Rusisë në bisedimet për armët.

Rusia është kundër planeve të zotit Obama për vendosjen e një sistemi të mbrojtjes nga raketat në Europe, një ide që fillimisht u propozua nga ish-presidenti George Bush dhe më pas u rishikua nga zoti Obama, duke patur parasysh shqetësimet e rusëve.

XS
SM
MD
LG