Presidenti amerikan Barack Obama ritheksoi vendosmërinë e Amerikës për të mos e lejuar Iranin të prodhojë armën bërthamore – përmes diplomacisë, në se është e mundur dhe përmes forcës, në se është e nevojshme. Por zoti Obama paralajmëroi kundër asaj që e quajti “përdorimin vend e pavend te fjalës luftë” ndërsa foli para një grupi pro-izraelit, një ditë para se të takohej me kryeministrin Benjamin Netanyahu.
Presidenti Obama thotë se Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara janë të një mendimi: Tehrani nuk duhet të ketë një armë bërthamore.
“Udhëheqësit e Iranit duhet ta dine se unë nuk kam një politikë kontrolli; por ndjek politikën e ndalimit të Iranit nga përvetësimi i një arme bërthamore.”
Duke mbajtur fjalimin para Komitetit amerikano-izraelit për Marrëdhëniet Publike, zoti Obama foli në hollësi mbi përqasjen e Amerikës për të arritur këtë synim.
“Unë nuk do të heq asnjë mundësi nga tryeza, dhe e kam seriozisht. Kjo përfshin të gjithë elementët e forces amerikane. Një përpjekje politike që synon izolimin e Iranit; një përpjekje diplomatike për të mbështetur koalicionin tone dhe për t’u siguruar që programi i Iranit të jetë i monitoruar; një përpjekje ekonomike për të vendosur sanksione të dëmshme; dhe një përpjekje ushtarake për të qenë të përgatitur për çdo të papritur.”
Presidenti Obama nuk foli në hollësi për rrethanat që do të çonin në një veprim ushtarak të Amerikës kundër Iranit, nëse do të ishte ndërtimi aktual i një arme bërthamore, apo zhvillimi i kapaciteteve për ta arritur këtë.
Izraeli ka kërcënuar me një sulm parandalues mbi ndërtesat bërthamore të Iranit, me apo pa mbështetjen amerikane. Disa momente para se të fliste zoti Obama, presidenti izraelit Shimon Peres foli për luftën me Iranin si një mundësi reale.
“Irani është një regjim mizor dhe moralisht i korruptuar. Ai duhet ndalur dhe do të ndalet.”
Zoti Peres shtoi se në se detyrohet të luftojë, Izraeli do të dalë fitimtar.
Presidenti Obama tha se një Iran me armë bërhtamore është i patolerueshëm për Shtetet e Bashkuara dhe Izraelin. Por ai paralajmëroi kundër ndërhyrjes ushtarake dhe tha se duhet t’u jepet shans mjeteve të tjera.
“Tashmë po flitet shumë për luftë. Gjatë pak javëve të fundit, biseda të tilla janë shfrytëzuar nga qeveria iraniane, duke ngritur çmimin e naftës, tek e cila varen për të financuar programin e tyre bërthamor. Për sigurinë e Izraelit, për sigurinë e Amerikës dhe për paqen dhe sigurinë e botës, tani nuk është koha për shumë fjalë.”
Irani ka këmbëngulur për një kohë të gjatë se programi i tij bërthamor ka synime paqësore.