Lidhje

Presidenti Topi në Shkup: Të hiqen paragjykimet lidhur me vrasjen e pesëfishtë


Presidenti i Maqedonisë Gjorgje Ivanov dhe ai i Shqipërisë Bamir Topi bënë sot thirrje në një konferencë të përbashkët për shtyp në Shkup për qetësi pas vrasjes së pesëfishtë në rrethinat e Shkupit. Presidenti Topi që ndodhet në Maqedoni për një vizitë dyditore bëri thirrje që t’u lejohet hapsirë organeve hetuese që të kryejnë punën e tyre. Ai tha se në rajon ka qarqe ultra-nacionaliste që duan të përkeqësojnë raportet ndër-fqinjësore dhe ndër-etnike. Zoti Topi inkurajoi respektimin e Marrëveshjes së Ohrit nga të gjitha palët dhe theksoi mbështetjen e fuqishme të Shqipërisë për stabilitetin e Maqedonisë dhe për integrimin e saj në Nato.

Vizita e presidentit të Shqipërisë në Maqedoni bëhet me ftesë të kolegut të tij Gjorgje Ivanov dhe vjen në një kohë kur marrëdhëniet e brishta midis dy komuniteteve më të mëdha në Maqedoni po ftohet edhe më tej për shkak të paragjykimeve mbi incidentet e fundit.

Dy presidentët pohuan se komunikimi i mirë, respekti dhe miqësia midis tyre ndikon në marrëdhëniet e mira midis dy vendeve.

Presidenti Topi, i shoqëruar nga bashkëshortja, do të qëndrojë dy ditë në Maqedoni.

Duket se gjatë takimit një rëndësi e veçantë i është kushtuar rastit të vrasjeve dhe pasojave.

Presidenti shqiptar tha se në rajon ende ka qarqe ultranacionaliste që duan ta përkeqësojnë klimën e raporteve të mira ndërfqinjësore dhe ndëretnike.

Çdo akt kriminal duhet të vendoset në linjën e hetimit dhe dhënies së drejtësisë sipas standardit ligjor, tha ai duke shtuar se është kundër çdo akti dhune nga kushdo që vjen. Presidenti Topi shprehu ngushëllime për familjet e pesë viktimave, por dhe për viktimat e tjera para këtij akti.

“Jam i bindur që në vijim të punës profesionale dhe shkencore të institucioneve që merren me këtë çështje, rasti do të trajtohet në mënyrë objektive dhe në përfundim do të jetë materiali që do të shkojë pikërisht në institucionet e drejtësisë. Çdo klimë paragjykuese është e papranueshme. Çdo akt kriminal, cilidoqoftë pas atij akti, është i dënueshëm, pavarësisht nëse individi është shqiptar apo maqedonas. Ne dëshriojmë që të gjithë qytetarët, të gjithë fëmijët të shkojnë në shkollë, të studiojnë, të mos kenë probleme dhe të jenë të garantuar”, tha presidenti Bamir Topi.

Presidenti maqedonas Gjorgje Ivanov tha se nëse autorët kanë marrë guxim ta bëjnë aktin në Maqedoni atëherë nesër mund ta bëjne dhe diku tjetër. Ai tha se institucionet përkatëse po e trajtojnë me përgjegjshmëri rastin dhe kjo gjë pritet edhe nga faktorët tjerë të shoqërisë së Maqedonisë.

Është e qartë se dikujt nuk i interesion përparimi i rajonit, tha ai dhe u bëri thirrje qytetarëve që të mos bien pre e spekulimeve.

Dy presidentët kanë ngritur nevojën për bashkëpunimin e shërbimeve inteligjente dhe të institucioneve përkatëse për të ndihmuar ndriçimin e këtij rasti.

Zotërinjtë Topi dhe Ivanov i kanë kushtuar rëndësi edhe bashkëpunimit ekonomik.

Maqedonia pret që Shqiperia si anëtare e Natos të mbështesë synimet e vendit fqinj për integrim në Aleancë. Zoti Topi bëri të ditur se Shqipëria mbushtet fuqishëm stabilitetin e Maqedonisë. Shqipëria, tha ai, i referohet Marrëveshjes së Ohrit si një dokument shumë i rëndësishëm që rregullon marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe maqedonasve për bashëkjetesë në një shtet me të drejta të barabarta. Ky dokument duhet të respektohet nga të gjitha palët, vërejti presidenti shqiptar.

Presidenti Topi vuri në dukje përparimin infrastrukturor të Shqipërisë në aspektin rrugor duke lënë të kuptohet se nëse edhe Maqedonia angazhohet më shumë në këtë drejtim ,atëtherë Deti Adriatik dhe portet e Durrësit, Shëngjinit dhe Vlorës do të ishin shumë më afër shtetasve dhe bizneseve të Maqedonisë. Zoti Topi u prit dhe nga kryeministri Nikolla Gruevski dhe kryetari i Parlamentit Trajko Veljanovski. Nesër ai do të shkojë në Tetovë, ku takohet me drejtuesit politik shqiptarë dhe do ta vizitojë fshatin Gradec prej nga ishte Mehmet Pashë Deralla, ministër i Luftës i qeverisë së parë shqiptare menjëherë pas pavarësisë.

XS
SM
MD
LG