Lidhje

Presidenti Trump dënon ambiciet ushtarake të Iranit


Presidenti Trump në Murin Perëndimor, një objekt i shenjtë për hebrejtë
Presidenti Trump në Murin Perëndimor, një objekt i shenjtë për hebrejtë

Presidenti amerikan, Donald Trump dënoi ashpër agresionin dhe ambiciet ushtarake të Iranit, pasi mbrriti të hënën në Izrael, vizita e tij e parë në shtetin hebre si udhëheqës i SHBA-së.

Para se të fillonte një takim me kryeministrin izraelit Benjamin Netanjahu, zoti Trump kritikoi ashpër administratën e ish presidentit Barack Obama për marrëveshjen ndërkombëtare të vitit 2015 që kufizon programin e armëve bërthamore të Iranit në këmbim të heqjes së sanksioneve ekonomike kundër Teheranit.

"Në vend që të ndihen mirënjohës, e të thonë faleminderit, iranianët tashmë ndihen të trimëruar", tha presidenti Trump.

"Ne jo vetëm u dhamë atyre një litar shpëtimi, por u dhamë pasuri dhe prosperitet. Ishte një gjë e tmerrshme për Shtetet e Bashkuara të bëheshin pjesë e asaj marrëveshjeje", tha presidenti Trump.

Presidenti Trump shfrytëzoi rastin për të mohuar njoftimet në shtyp se kur ai u takua me diplomatë të lartë rusë në Uashington gjatë këtij muaji kishte nxjerrë Izraelin si burim informacioni të klasifikuar për Shtetet e Bashkuara, lidhur me një sulm të mundshëm terrorist të ISIS-it me aeroplanë.

"Që ta kuptoni, kurrë nuk përmenda fjalën apo emrin e Izraelit. Nuk e përmenda gjatë asaj bisedë", tha zoti Trump. "Ata thoshin se unë e bëra, çfarë është e gabuar. Nuk e përmenda kurrë fjalën Izrael".

Raportimet mediatike që i referohen bisedës në Shtëpinë e Bardhë thanë se zoti Trump kishte dhënë informacion të mjaftueshëm që zyrtarët rusë të ishin në gjendje të kuptonin burimin e informacionit të fshehtë, që më vonë u zbulua se kishte ardhur prej Izraelit.

Më herët, gjatë vizitës së tij presidenti Trump tha se "ky moment në histori bën thirrje për të forcuar bashkëpunimin ndërsa Izraeli dhe Amerika përballen me kërcënime të përbashkëta nga ISIS-i dhe grupe të tjera terroriste në vende si Irani që sponsorizojnë terrorizmin dhe financojnë dhe nxisin dhunë të tmerrshme jo vetëm këtu, por në të gjithë botën”.

REAGON IRANI

Ndërkohë të hënën presidenti i sapo rizgjedhur i Iranit Hassan Rouhani, tha se marrëdhënia e Iranit me SHBA është një "rrugë me zigzage". Ai e quajti takimin e Presidentit Donald Trump në Arabinë Saudite këtë fundjavë "një shfaqje".

Presidenti Rouhani tha gjithashtu se stabiliteti në Lindjen e Mesme nuk mund të arrihet pa ndihmën e Iranit.

"Amerikanët nuk e njohin fenë tonë", i tha presidenti Rouhani agjensisë së lajmeve Associated Press. Ai tha se shpreson që administrata Trump të përpiqet të kuptojë mjaftueshëm vendin e tij.

TRUMP, VIZITA E PARË NË IZRAEL SI UDHËHEQËS I SHBA

Presidenti Donald Trump mbërriti sot në Izrael në vizitën e tij të parë në këtë vend si udhëheqës i Shteteve të Bashkuara. Ai ka dhënë më parë shenja për mundësinë e një rifillimi të procesit të paqes ndërmjet izraelitëve dhe palestinezëve. Sekretari Tillerson u tha gazetarëve që shoqërojnë Presidentin amerikan, se është krijuar ndjesia e një momenti të rëndësishëm dhe e një mundësie për të lëvizur drejt paqes.

Presidenti Trump u mirëprit në aeroportin Ben-Gurion të Tel Avivit me një ceremoni të kryesuar nga Kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu.

Në fjalën e tij, udhëheqësi izraelit iu referua fjalimit të djeshëm të Presidentit Trump në Arabinë Saudite, duke thënë se Izraeli ka të njëjtin angazhim ndaj paqes dhe se i ka shtrirë dorën për paqe të gjithëve fqinjëve, përfshirë palestinezët.

“Zoti President, Izraeli ka të njëjtin përkushtim ndaj paqes që ju shprehët dje. Ne kemi arritur tashmë paqen me Egjiptin dhe Jordaninë. Izraeli u ka shtrirë dorën për paqe të gjithë fqinjëve, edhe palestinezëve”, tha Kryeministri Netanyahu.

Presidenti Trump u tha të pranishmëve se tashmë është krijuar një mundësi e rrallë për të sjellë siguri, stabilitet dhe paqe në Lindjen e Mesme.

“Sapo përmbylla një vizitë në Arabinë Saudite, ku u takova me Mbretin Salman dhe udhëheqës nga mbarë bota myslimane dhe arabe. Arritëm një dakortësi historike për një bashkëpunim gjithnjë e më të madh në luftën kundër terrorizmit dhe ideologjisë së tij të ligë”, tha Presidenti Trump.

Presidenti Trump tha se ekziston tashmë mundësia për ta mundur terrorizmin dhe se kjo mund të arrihet vetëm nëse punohet bashkarisht.

Ai ka sinjalizuar se dëshiron të rifillojë bisedimet izraelito-palestineze për paqen, të cilat u braktisën në vitin 2014.

Gjatë vizitës, Presidenti Trump vizitoi edhe Murin Perëndimor, një objekt i shenjtë me rëndësi për hebrenjtë. Të martën ai do të takohet me Presidentin palestinez Mahmoud Abbas.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG