Lidhje

Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në Bruksel


Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në Bruksel
Presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga në Bruksel

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, tha sot në Bruksel se Kosova është e gatshme të përmbushë të gjitha detyrimet e saj në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian ndërsa bëri thirrje që ajo të mos pësojë për shkak të mosnjohjes së saj nga pesë vende të Bashkimit Evropian. Ajo i bëri këto komente pas takimit me kryetarin e Këshillit Evropian Herman Van Rompuy, i cili nga ana e tij tha se anëtarësimi kërkon përmbushjen e reformave. Ai e siguroi presidenten Jahjaga se të 27 vendet anëtare të Bashkimit Evropian janë të përkushtuara për të ardhmen evropiane të Ballkanit perëndimorë.

“Afrimi me Bashkimin Evropian kërkon shumë punë, durim dhe përqendrim. E inkurajoj presidenten që me energji të reja të vazhdojë reformat e domosdoshme për afrimin e Kosovës me Bashkimin Evropian”, tha zoti Rompuy duke shfaqur shpresën se mund të ketë përparim së shpejti ta zëmë në hapjen e dialogut për liberalizimin e vizave.

Ai ka nënvizuar rëndësinë e luftës kundër krimit të organizuar e korrupsionit, adresimin e çështjeve të sigurisë e pakicave kombëtare si dhe të marrëdhënieve me Serbinë nëpërmjet bisedimeve të ndërmjetësuara ndërkombëtarisht.
Presidentja Jahjaga tha se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për forcimin e ligjit dhe luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit dhe se ajo është e gatshme të përmbushë të gjitha detyrimet në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian dhe në NATO.

"Nënvizoj se mosnjohja e pavarësisë së Kosovës nga pesë vende anëtare të Bashkimit Evropian nuk duhet të jetë pengesë dhe nuk duhet të ndikojë që Kosova të mbetet jashtë agjendës evropiane”, tha presidentja Jahjaga.

Ajo është takuar sot edhe me përfaqësuesen e Lartë të Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Catherine Ashton, e cila siç thuhet në një komunikatë të zyrës së presidentes Jahjaga, ka kërkuar një bashkëpunim më të mirë dhe bashkërendim me misionin e EULEX-it dhe të KFOR-it. Ajo është shprehur e pakënaqur me siç ka thënë “aksionin e njëanshëm në veri”, duke kërkuar që kjo të mos përsëritet më”.

Zhvillimet e fundit në veriun e Kosovës ri ngritën idetë e ndarjes së mundshme të Kosovës, ide këto të cilat edhe sot janë hedhur poshtë nga presidentja Jahjaga.

“Republika e Kosovës është demokraci parlamentare e ndërtuar mbi parimet qytetare dhe garanci për të gjitha komunitetet etnike. Në këtë kuadër propozimet për ndarjen e Kosovës apo shkëmbim territoresh janë të papranueshme, jonjerëzore dhe kundër historike.”

Presidentja e Kosovës, takoi mbrëmë në Bruksel komisionarin për zgjerim të Bashkimit Evropian Stefan Fyle, ndërsa gjatë qëndrimit atje pritet të takohet pos tjerash edhe me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Anders Fog Rasmusen.

XS
SM
MD
LG