Lidhje

Liria e shtypit përballë sigurisë kombëtare


Gazetarët amerikanë janë indinjuar nga kontrolli që Departamenti i Drejtësisë i ka bërë telefonatave të gazetarëve dhe redaktorëve të agjencisë Associated Press. Departamenti i Drejtësisë i siguroi tabulatet telefonike, ndërsa hetonte për nxjerrjen e informacioneve për një bazë të al-Kaidës në Jemen. Pasi kjo ngjarje u bë publike, shumë vetë po shtrojnë pyetjen se si duhet balancuar liria e shtypit me sigurinë kombëtare.

Këta të rinj që duan të bëhen gazetarë po bëjnë prova sesi të japin lajme në Newseum. Ata mësojnë sesi t’i japin lajmet, duke respektuar Amendamentin e Parë të Kushtetutës: lirinë e shtypit.

Por kjo liri mori një goditje kur Departamenti amerikan i Drejtësisë kontrolloi fshehtas telefonatat e një periudhe dymujore të gazetarëve dhe redaktorëve tek Associated Press. Të rinjtë thonë se kjo ishte diçka e gabuar.

“Gjithë përparimi i arritur për të siguruar këto liri duket se po bën një hap prapa”.

“Është gabim sepse gazetarët duhet t’i kenë linjat telefonike të mbrojtura”.

“Është vërtet diçka e vështirë. Qeveria ndërhyn dhe i dëmton këto të drejta që ne i kemi pasur të garantuara për një kohë të gjatë dhe të bën të shtrosh pyetjen për sa kohë ka vazhduar”.


Associated Press është një nga agjencitë më të mëdha dhe më të vjetra të shtypit. Mbi gjysma e banorëve të botës i shohin lajmet e saj.

Gazetarët e agjencisë kishin shkruar një artikull për një operacion të CIA-s në Yemen që kishte parandaluar një komplot me bombë të al-Kaidës. Qeveria po bënte hetime për të zbuluar se kush ia kishte dhënë këtë informacion AP-së. Kështu, megjithëse liria e shtypit ishte komprometuar, Presidenti Obama thotë se është e vështirë të gjesh balancën e duhur me sigurinë kombëtare.

“Kur del informacion për sigurinë kombëtare, njerëzit rrezikohen. Mund të rrezikohen ushtarët që unë kam çuar në fushë beteje”.

Johnny Isakson, një senator republikan është i një mendjeje.

“Nuk duam asnjëherë të ekspozohemi siç ndodhi më 11 shtator 2001 dhe duam të mbrojmë të drejtat kushtetuese për jetën private dhe lirinë e popullit amerikan. Është një rrugë e vështirë ndonjëherë, por është diçka e rëndësishme që duhet ta bëjmë”.

Teknologjia po e ndryshon mënyrën sesi e bëjnë punën gazetarët, me internetin dhe mediat shoqërore. Por pavarësisht sesi ndryshon mënyra e mbledhjes së lajmeve, një përparësi mbetet e pandryshuar. Gazetarët duhet të garantojnë burimet se informacioni që japin do të mbetet konfidencial.
XS
SM
MD
LG