Lidhje

Prishtinë: Shpallet data e zgjedhjeve të reja


Prishtinë: Shpallet data e zgjedhjeve të reja
Prishtinë: Shpallet data e zgjedhjeve të reja

Ushtruesi i detyrës së presidentit të Kosovës, Jakup Krasniqi, shpalli 13 shkurtin e vitit 2011 si datë të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme në Kosovë. Zoti Krasniqi tha se e ka marrë këtë vendim në bazë të përgjegjësive të tij kushtetuese. Ky vendim u publikua vetëm pak kohë pas një takimi të partive politike i cili nuk mundi të bjerë dakord për një datë. Zoti Krasniqi tha se ishin arsyet kushtetuese e ligjore që e kushtëzuan një vendim të tillë.

“Në rend të parë është afati kushtetues që më bënë kushtëzimin për të shpallur sot zgjedhjet. Ne e kemi analizuar edhe mundësinë e shpalljes së zgjedhjeve më 20 shkurt, por për shkak se më 17 shkurt e kemi përvjetorin e tretë të pavarësisë dhe që ky përvjetor të mos mbahet në atmosferën e zgjedhjeve, mu duk se më e arsyeshme është që të jetë 13 shkurti”, tha ai.

Zoti Krasniqi tha se ka udhëzuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve që të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme për organizimin e zgjedhjeve për Parlamentin e Kosovës. Parlamenti aktual pritet të përfundojë mandatin bashkë me vitin e ri.

“Nga koha e mbajtjes së zgjedhjeve, do të thotë ditës së zgjedhjeve, më së paku 30 ditë e më së shumti 45 ditë, duhet të shpërndahet Kuvendi”, theksoi zoti Krasniqi.

Zgjedhjet e parakohshme në Kosovë u imponuan me dorëheqjen e ish presidentit të vendit Fatmir Sejdiu pasi që Gjykata Kushtetuese konstatoi se ai ka shkelur kushtetutën duke mbajtur dy poste, atë të presidentit dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.

Vendimi për organizimin e zgjedhjeve më 13 shkurt u morr pavarësisht se një pjesë e partive politike, përfshirë edhe Lidhjen Demokratike të Kosovës që është partnere e koalicionit qeverisës kishin kërkuar që koha e mbajtjes së tyre të ishte në fillim të muajit mars të vitit të ardhshëm.

XS
SM
MD
LG