Lidhje

Pritshmëria nga Konferenca e Kankunit mbi Ndryshimet Klimatike


Pritshmëria nga Konferenca e Kankunit mbi Ndryshimet Klimatike
Pritshmëria nga Konferenca e Kankunit mbi Ndryshimet Klimatike

Rezultatet e arritura në Konferencën e OKB-së mbi Ndryshimet Klimatike vitin e kaluar në Kopenhagë ishin zhgënjyese, prandaj dhe shpresat për takimin e këtij viti në Kankun të Meksikës, që hapet sot dhe vazhdon deri më 10 dhjetor, janë shumë më të kufizuara. Por sic njofton në materialin e tij nga Hjustoni, korrespondenti i Zërit të Amerikës Greg Flakus, aktivistët e mjedisit thonë se ka shumë hapa shtesë që mund të ndërmerren nga qeveritë pjesëmarrëse në konferencë për të shtyrë përpjekjet botërore për pakësimin e ngrohjes globale, ashtu edhe pasojat që vijnë prej saj.

Megjithëse konferenca e vitit të kaluar në Kopenhagë mbi ndryshimet klimatike arriti një konsensus në disa çështje, ajo nuk arriti të miratonte një marrëveshje që do t’i detyronte vendet të kufizonin gazet e çliruara në atmosferë, që shkaktojnë efektin serrë.

Ndërsa vendet ranë dakort në vija të përgjithshme për nevojën e pakësimit të këtij emetimi, ato shprehën rezerva për t’u angazhuar në masa që mendojnë se dëmtojnë rritjen e tyre ekonomike.
Sipas drejtorit ekzekutiv të Rrjetit Ndërkombëtar të Veprimit për Klimën, David Turnbull, ishin këto shqetësime, dhe jo procesi i financuar nga OKB-ja, ato që penguan marrëveshjen në Kopenhagë.
“Kjo nuk erdhi për faj të OKB-së apo sepse sistemi i bazuar në konsesus përbën problem. Dështimi erdhi për shkak të politikave vendore që nuk ishin të hartuara për të lejuar arritjen e një marrëveshje. Ato mund të mos jenë të përshtatshme për të arritur një marrëveshje të plotë, të drejtë, ambicioze dhe të detyrueshme në Kankun – dhe ne duhet të punojmë si OJQ për të ndryshuar këto politika dhe të arrijmë që qeveritë të kuptojnë se është në interesin e tyre të zgjidhin problemin e ndryshimeve klimatike”.
Zoti Turnbull thotë se pjesëmarrësit në takimin e Kankunit duhet të përqëndrohen në planet për të ndihmuar vendet më të varfëra të pakësojnë emetimin e gazeve që shkaktojnë efektin serrë pa vënë në rrezik zhvillimin.

Një fushë ku vendet mund të bëjnë përparim në Kankun është shpyllëzimi që shkencëtarët thonë se është një kontribues madhor në ngrohjen globale. Zoti Turnbull pret gjithashtu përparim në krijimin e një fondi global për klimën në mbështetje të projekteve të zhvillimit dhe teknologjive që do të pakësonin çlirimin e gazeve që shkaktojnë efektin serë.
Shkencëtarët janë më shumë të shqetësuar rreth shtimit të sasisë së gazeve nga fabrikat, centralet e prodhimit të energjisë dhe makinat në vendet me rritje të shpejtë si Kina dhe India. Kina që është tani emetuesi më i madh në botë i karbonit dhe i gazeve të tjera që shkaktojnë efektin serrë, premtoi të marrë masa në takimin e vitit të kaluar, por ka disa tregues se Kina mund të mos i ketë përmbushur të gjitha premtimet.

Në Institutin Baker për Politikat Publike në Universitetin Rice, analisti i shkencave politike Neal Lane e sheh angazhimin e Kinës si një pjesë të rëndësishme të veprimit mbarë botëror për ndryshimet klimatike.
“Sfida e vërtetë do të jetë të sigurohemi se Kina do të vazhdojë të mbajë premtimet e bëra në Kopenhagë dhe sigurish administrata Obama duhet të zbatojë ato masa për të cilat u ra dakord”.
Megjithatë, pa marrëveshje të detyruara nuk ka mekanizëm për të përcaktuar nëse një vend po ndërmerr veprime të efektshme.

Zoti Lane, ish këshilltar i presidentit Klinton, i cili ka punuar në disa nga konferencat e para për ndryshimet klimatike thotë se ai shpreson se Kankuni do të ndihmojë për një transparencë më të madhe.
“Do të prisja më shumë përparim në çështjen e tranparencës pasi besimi është vërtet një çështje e rëndësishme. Shpesh arsyeja përse vendet nuk arrijnë konsensus mbi diçka që duket e arsyeshme është ngaqë nuk kanë besim tek njëri-tjetri”.
Zoti Lane thotë se pret gjithashtu të shohë pjesëmarrësit në Kankun të bëjnë më shumë për miratimin e një politike ku paratë nga vendet më të pasura të përdoren për të ndihmuar vendet e varfëra që ka të ngjarë të’indjejnë më shumë efektet e ndryshimeve klimatike në dekadat e ardhshme.
Neal Lane thotë se shpreson se do të ketë përparim në Kankun, pasi bota ndikohet nga përparimi në këtë fushë.

XS
SM
MD
LG