Lidhje

Programi që do të gjurmojë lëvizjet e dronëve


Një aplikacion i ri për telefonat inteligjentë gjurmon sinjalet e dronëve pranë aeroporteve ose aktiviteteve masive. Duke mbledhur të dhënat nga personat e regjistruar, programi do të ndihmojë në parandalimin e përdorimit të dronëve për terrorizëm.

Me shtimin e sulmeve terroriste në mbarë botën, ekspertët e sigurisë po shqyrtojnë mënyra të reja për forcimin e sistemeve të sigurisë. Tashmë të gjithë mundemi të ndihmojmë në këtë përpjekje. Duke instaluar një aplikacion falas, mund të japim ndihmën tonë në ruajtjen e stadiumeve apo aeroporteve nga sulme të mundshme.

Programi DroneWatcher shfrytëzon antenën WiFi të celularit për të monitoruar sinjalet nga paisje fluturuese si dronët. Të dhënat e mbledhura nga celularët e ndryshëm u dërgohen automatikisht zyrtarëve të sigurisë.

Siç shpjegon Edward Zakrajsek, i kompanisë DeTect Global, njerëzit duhet vetëm ta instalojnë programin.

“Programi mbështetet tek të dhënat e mbledhura nga qindra njerëz njëkohësisht për të gjurmuar më mirë dronët. Kështu mundemi të përcaktojmë me saktësi vendndodhjen e dronit dhe të personit që e kontrollon, si dhe të gjurmojmë trajektoren e lëvizjes.”

Megjithëse aplikacioni është falas, kompania prodhuese do të paguhet prej organizatorëve të koncerteve, ndeshjeve dhe nga aeroportet për shfrytëzimin e të dhënave të mbledhura.

Tetorin e kaluar, avionët luftarakë turq rrëzuan një dron të paidentifikuar brenda hapësirës ajrore turke pranë kufirit sirian.

Një vit më parë, një ndeshje ndërkombëtare në Beograd, ndërmjet Serbisë dhe Shqipërisë, u ndërpre pasi një dron me një flamur të Shqipërisë së madhe, fluturoi mbi fushë përpara se të tërhiqej nga një lojtar i skuadrës serbe.

Konsulenti britanik i sigurisë, Matthew Finn, shpjegon rrezikshmërinë që këto dronë mund të paraqesin në të ardhmen.

“Nëse kontrollon një paisje të tillë, mund ta dërgosh në zona sensitive, mund ta armatosësh, dhe mund të shkaktojë dëm të paimagjinuar në zona ku nuk mundet të hyjë një individ. Mund të futesh në një stadium futbolli, në një qendër tregtare dhe vende të tjera.”

Zoti Finn thotë se organet ligjzbatuese dhe organizatat e sigurisë duhet të planifikojnë mirë se si të përballen me këtë rrezik.

Nëse në programin DroneWatcher rregjistrohen mjaftueshëm përdorues, ai mund të jetë një hap në drejtimin e duhur.

XS
SM
MD
LG