Tensionet u shtuan ndërsa policia në Frankfurt, kryeqyteti financiar i Gjermanisë, u përball sot me protestuesit anti-kapitalistë përpara Bankës Qendrore Evropiane.
Grupet e protestuesve dhe policia u përleshën me njëri tjetrin prapa barrierave të vendosura përpara godinës së Bankës Qendrore Evropiane.
Më parë, një turmë protestuesish që llogaritet të kenë qenë gati 2 mijë vetë, marshuan në qendër të qytetit dhe u përballën me policinë e armatosur, të pajisur me helmeta dhe shkopinj gome. Kamionët me ujin me presion qëndronin pranë.
Demonstruesit thanë se po protestonin kundër masave shtrënguese evropiane për ekonominë.
"Nuk jemi të kënaqur me atë çfarë po ndodh në botë. Ne po grabitemi dhe gati dy mijë gjermanë po kontrollojnë Evropën. Kjo nuk është e drejtë, nuk duhet të lejohet", thotë Finn Boyens, një protestues danez.
Lëvizja Bllokimi i Evropës u formua pas lëvizjes Zaptimi i Wall Street-it në vitin 2011.
Demostrata të tjera janë planifikuar për sot pranë selisë së Bankës Deutsche Bank dhe aeroportit të Frankfurtit.
Qeveritë evropiane të përballura me defiçitin e lartë buxhetor kanë shkurtuar shpenzimet dhe kanë rritur taksat, duke kontribuar në recesionin e thellë që ka përfshirë mbarë eurozonën, ndërsa shumë familje janë në borxhe, ose kanë humbur shtëpitë e tyre pas flluskës së krijuar në tregun e pasurive të patundshme. Ekonomia gjermane ka qenë relativisht në gjendje të mirë gjatë krizës.