Lidhje

Mijëra njerëz në mbarë Rusinë protestojnë kundër korrupsionit


Protestuesit në Moskë

Mijëra njerëz dolën sot në rrugët e Rusisë për të protestuar kundër korrupsionit. Tubimet u organizuan pas thirrjeve të udhëheqësit opozitar Alexei Navalny, i cili njoftohet se është ndaluar nga policia.

Alexei Navalny detained
Alexei Navalny detained

Në disa qytete kryesore njoftohet se policia ka bërë gjithashtu dhjetëra arrestime në radhët e protestuesve, ndërkohë që mediat shtetërore nuk raportuan rreth zhvillimit të protestave.

Mijëra njerëz dolën sot në rrugët e Rusisë për të protestuar kundër korrupsionit dhe kërkuan dorëheqjen e Kryeministrit Dmitry Medvedev, në tubime të organizuara nga udhëheqësi opozitar Alexei Navalny. Agjensitë e lajmeve njoftuan se vetë zoti Navalny është ndaluar nga policia, ndërsa po i bashkohej një tubimi.

Këto protesta njoftohet se janë organizimi më masiv i shprehjes së pakënaqësisë që nga protestat masive të vitit 2011-2012 ndaj manipulimit të zgjedhjeve parlamentare.

Deri në mesditë, mediat e Moskës nuk kishin raportuar për zhvillimin e protestave. Megjithatë, faqe lajmesh në internet dhe mediat sociale njoftonin për demonstrata, që nga qyteti lindor Vladivostok dhe deri në Yekaterinburg në malet Urale. Në qytetin Vladivostok u njoftua se u bënë dhjetëra arrestime.

Zoti Navalny bëri thirrje për demonstratat pasi botoi një raport të detajuar këtë muaj ku akuzohet zoti Medvedev për krijim pasurish masive, si rezidenca, jahte, dhe plantacione vreshtash, nëpërmjet një rrjeti të dyshimtë organizatash jofitimprurëse.

Raporti i tij u pa nga mbi 11 milionë njerëz në Youtube, ndërkohë që zoti Medvedev nuk pati dhënë një reagim.

Protestuesit njoftuan edhe për zhvillimin e tubimeve të tjera masive në kryeqytetin Moskë dhe në Shën Pjetërburg.

Navalny njoftoi në faqen e tij zyrtare në internet se 99 qytete ruse kishin planifikuar të protestonin, por se në 72 prej tyre autoritetet nuk patën dhënë leje.

Alexei Navalny, një kritik i Kremlinit që ka shpallur synimin për të kandiduar për president në zgjedhjet e vitit të ardhshëm, ka filluar gjatë javëve të fundit grumbullimin e mbështetësve në qytetet kryesore të Rusisë.

Mendimi juaj

Trego komentet

XS
SM
MD
LG