Lidhje

Protestë në Shkup: Shqiptarët dhe myslimanët nuk janë vrasës



Mijëra protestues shqiptarë pas faljes së xhumasë në xhamitë e Shkupit u drejtuan nga gjykata themelore ku hodhën parulla kundër autoriteteve gjyqësore dhe policisë. Ata mbanin pankarta ku mes tjerash shkruhej se se shqiptarët janë viktimë e sajesave policore, ndal dhunës dhe se shqiptarët as muslimanët nuk janë vrasës.

Protestuesit mbanin flamuj shqiptarë, disa dhe elemente të veshjes kombëtare shqiptare, por nuk munguan as flamuj me mbishkrime arabe dhe thirrjet islamike “Zoti është i madh”!

Protestuesit u drejtoheshin me fjalët vrasës policëve që siguronin gjykatën. Më pas turma e protestuesve shkoi para ndërtesës së qeverisë, ku pas një kohe disa të rinjë qëlluan me gurë dhe thyen disa xhama të qeverisë. Ata hodhën dhe thirrje ofenduese kundër kryeministrit Gruevski, ministres së Rendit Jankullovska por dhe kundër kryetarit të BDI-së Ali Ahmeti, partia e të cilit është pjesë e koalicionit qeveritar.

Gjatë shpërndarjes disa nga protestuesit thyen xhamat e një stacioni autobusash pranë qeverisë, por dhuna u përshkallëzua kur një pjesë e protestuesve shkuan para selisë së BDI-së në lagjen Cair dhe para komunës së Cairit, e cila drejtohet nga një zyrtar I BDI-së.

Protestuesit para komunës u përpoqën të çanin kordonin e policisë dhe t’i sulmojnë më gjësende të forta, ndërsa këta të fundit përdorën dhe shkopinjtw e gomës. Nje kameraman i nje televizioni maqedonas eshte goditur me gur.

Thirrjet e autoriteteve të komunitetit ndërkombëtar dhe të partive politike për protesta të qeta, nuk patën shumë efekt.
PDSH mbrëmë u bëri thirrje shqiptarëve që të mos dalin në protesta organizatorët e të cilave nuk dihen.

Kryetari Menduh Thaçi është shprehur se nuk duhet futur në aventura dhe nuk duhet të ndërlidhen çështjet etnike me ato fetare." Ne asnjëherë nuk kemi pasur probleme fetare, por etnike po", - ka thënë zoti Thaçi
.
BDI u ka bërë thirrje protestuesve që të shprehin opinionet e tyre me dinjitet dhe në mënyrë paqësore e demokratike.

Edhe Ambasada amerikane në Shkup, përmes një komunikate, u kishte bërë thirrje qytetarëve që t’i shprehin mendimet e tyre në mënyrë paqësore, që të mbeten të qetë dhe të lejojnë zbatimin e procesit ligjor në rastin e të dyushuarve për vrasjen e 12 prillit.

Protestat nëpër qytetet tjera të banuara me shqiptarë kanë kaluar të qeta, pa incidente dhe në numër mjaft më të vogël të pjesëmarrësve.

XS
SM
MD
LG