Dy muaj pasi lëvizja e protestave “ Zaptimi” filloi të përhapet në mbarë Shtetet e Bashkuara, tensionet mes protestuesve dhe autoriteteve lokale po shtohen. Materiali në vazhdim i hedh një vështrim të drejtave të protestuesve dhe të gazetarëve që po mbulojnë këto zhvillime ndërkohë që policia përpiqet që të zhvendosë kampet e protestuesve nga hapësirat publike. Amendamenti i Parë i kushtetutës thotë:
“Kongresi nuk do të miratojë asnjë ligj lidhur me institucionin e fesë, apo për të ndaluar ushtrimi e lirë të saj; ose për të kufizuar lirinë e shprehjes apo të shtypit; ose të drejtën e njerëzve për t’u mbledhur paqësisht, dhe për t’i kërkuar qeverisë të shqyrtojë ankesat e tyre.”
Mbrojtja që ofron Amendamenti i Parë është kaq e fortë sa që gjykatat kanë lejuar pa ndëshkuar gjuhën e urrejtjes dhe madje edhe gjuhën ofenduese ndaj njerëzve për shkak të racës apo fesë së tyre.
Faktikisht, ish anëtari i Gjykatës së Lartë William Douglas është shprehur se synimi i lirisë së të shprehurit është të “ngjallë polemika” dhe mënyra më e mirë për ta bërë këtë, është përmes krijimit të pakënaqësisë, madje duke nxitur edhe zemërim tek njerëzit”
Eksperti për Amendamentin e Parë dhe avokati Floyd Abrams thotë për Zërin e Ameriksë se protestuesit e “Lëvizjes Zaptimit” janë brenda të drejtës së tyre për të protestuar. Por ai paralajmëron se amendamenti nuk i mbron medoemos mënyrat që ata po përdorin.
“Në një situatë si kjo, ku një turmë e madhe njerëzish po zaptojnë një hapësirë të madhe, dhe po thonë se “kjo është e jona” dhe jo e pjesës tjetër të qytetit, mendoj se nuk ka të bëjë me Amendamentinm e Parë.”
Zoti Abrams thotë se në bazë të ligjit, protestuesit nuk mund të bllokojnë bizneset, rrugët dhe as të kontrollojnë burimet e qytetit, për të përcjellë mesazhin e tyre. Ai thotë se këto kufizimet në këtë rast, kanë të bëjnë me kohën, vendin dhe mënyrën e të protestuarit, që historikisht janë përdorur për të mbrojtur të drejtat e të tjerëve.
“Ka disa kufizime përsa i takon vendit se ku mund të flitet dhe për sa kohë mund të flitet, në një zonë të caktuar, sepse edhe njerëzit e tjerë duan të flasin, ose të flenë apo të bëjnë gjëra të tjera po aty.”
Po për gazetarët që po mbulojnë protestat? A kanë të drejtë autoritetet t’i shpërndajnë ata me dhunë së bashku me protestuesit?
Tom Fiedler është dekan në Kolegjin e Komunikimit në Universitetin e Bostonit dhe ish redaktor përgjegjës për gazetën “The Miami Herald”. Ai thotë se qeveria duhet të jetë në gjendje të zbatojë funksionet e saj në interes të publikut të gjerë.
“Këtu mund të përfshihet kërkesa ndaj gazetarëve që të mos pengojnë veprimet e policisë. Por ajo që qeveria nuk mund ta bëjë është ndalimi i gazetarëve që të informojnë qytetarët se çfarë i urdhëroi ata policia që të bëjnë. Kjo është mënyra që gazetarët e mbajnë qeverinë përgjegjëse.”
Amendamenti i Parë mund të ndalojë qeverinë që të hartojë ligje për të kufizuar liritë, por eksperti ligjor Floyd Abrams thotë se kjo nuk mund të konsiderohet në vetvete.
“Amendamenti i Parë nuk është ligji i vetëm. Pa dyshim ai i vendos kufizime të rëndësishme qeverisë, por ai nuk u jep përgjigje të gjitha pyetjeve.”
Ai thotë se u takon gjykatave të përcaktojnë këto të drejta dhe vendosin se si t’i balancojnë ato.