Zyrtarët afganë thanë se gati një mijë persona, shumica studentë, dolën sot në rrugë për të protestuar një marrëveshje për partneritet strategjik me Shtetet e Bashkuara, që do të lejojë disa trupa amerikane të vazhdojnë të qëndrojnë në Afganistan pas vitit 2014.
Asambleja e 2 mijë politikanëve dhe udhëheqësve fisnorë e miratoi marrëveshjen dje në përfundim të një konference katër ditore. Udhëheqësit kërkojnë t’i jepet fund sulmeve jopopullore gjatë natës nga forcat e koalicionit dhe duan garanci që Shtetet e Bashkuara do të dorëzojnë të gjithë të burgosurit afganë. Delegatët i kërkuan gjithashtu presidentit Karzai të sigurojë se çdo marrëveshje me Uashingtonin të kufizohet për një periudhë 10 vjeçare dhe i paraqiti qeverisë sugjerime për bisedimet me talebanët.