Me pankarta dhe thirrje që denonconin presidentin e zgjedhur si racist dhe seksist, mijëra protestues dolën dje nëpër rrugët e disa qyteteve në gjithë Shtetet e Bashkuara, për të protestuar ndaj fitoret së Donald Trumpit në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara.
Një turmë e madhe njerëzish u grumbullua në Nju Jork, përballë ndërtesës Trump ku banon presidenti i zgjedhur, me pankarta ku shkruhej “Dashuria fiton mbi urrejtjen”.
Një grup tjetër u mblodh përballë Shtëpisë së Bardhë në Uashington dhe aty pranë, para hotelit të ri Trump, protestuesit thërrisnin “Refugjatët janë të mirëpritur”.
Demonstrata u zhvilluan edhe në Majami, Filadelfia dhe Boston, ku protestuesit mbanin pankarta ku bëhej thirrje për ngritjen e akuzave ndaj zotit Trump dhe për t’i dhënë fund Kolegjit Elektoral, një proces që solli si rezultat fitoren e zotit Trump, pavarësisht se ai e humbi votën popullore me një diferencë të vogël.
Në anën tjetër të vendit, protestuesit në Los Angeles, San Francisko, Portland dhe Siatëll marshuan dhe bllokuan trafikun, duke shprehur indinjatën për fitoren e zotit Trump ndaj Hillary Clintonit.
Ndërsa në pjesën qendrore të vendit, u mbajtën protesta në Çikago, Seint Pol dhe Mineapolis, Omaha, Nebraska dhe në qytetin Kansas në Mizuri.