Zyrtarë amerikanë thonë se infrastruktura e dëmtuar në Porto Rico e ka vështirësuar shpërndarjen e ndihmave dhe rikthimin e energjisë elektrike në mbarë ishullin e shkatërruar nga Uragani Maria. Administrata Trump ju përgjigj krizës për herë të dytë këtë javë, duke thënë se sasi të mëdha ushqimesh, uji dhe personeli kanë mbërritur në ishull, por rrugët e dëmtuara dhe rrënojat janë duke e ngadalësuar shpërndarjen e ndihmave nga porti tek njerëzit në nevojë.
Banorët në shumë komunitete të Porto Rikos kanë mungesë ushqimesh, ata janë në pritje që t’u shkojë ndihma. Me pakicë është edhe uji i pijshëm.
"Në mëngjes ne bëjmë kafe, por gjatë ditës, për shkak të mungesës së ujit na duhet të shkojmë tek pusi, nuk kemi ujë as për të bërë një kafe në ditë. Një herë në ditë zjejmë oriz dhe kjo është e gjitha,”- thotë një banore.
Por Shtëpia e Bardhë tha të enjten se mungesat nuk janë për shkak se administrata Trump nuk bën përpjekje.
"Vetë të qënit ishull paraqet pengesa logjistike që nuk ekzistojnë në tokë, ku kamionët nga e gjithë bota mund të shkojnë në zonat e prekura nga fatkeqësia. 10 mijë punonjës shpëtimi të qeverisë janë atje, përfshirë 7,200 trupa që ndodhen tani në ishull, duke punuar pa pushim për t’u dërguar njerëzve çfarë u nevojitet.”- tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Sarah Huckabee Sanders.
Nën presionin e kritikave, Presidenti Donald Trump po ashtu shfuqizoi një ligj që ndalonte dërgimin e ndihmave me anije në ishull. Por një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë më pas u tha gazetarëve se ky vendim ishte marrë si masë paraprake dhe se jo nga nevoja:
"Në këtë rast të veçantë, ne kishim një kapacitet të mjaftueshëm anijesh amerikane për të çuar më tepër karburant dhe mallra të tjera në Porto Riko.”
Shumica e ndihmave, si shishe me ujë të pijshëm, ushqime dhe ilaçe, kanë mbetur në portin kryesor të Porto Rikos, ngaqë nuk ka shoferë dhe kamionë të mjaftueshëm për shpërndarjen e tyre. Zyrtarët thonë se disa komunitete e është vështirë të arrihen, për shkak të infrastrukturës së dëmtuar.
"Shpërndarja nga nga porti për tek pikat në brendësi të ishullit, si spitale, ka qenë tepër e vështirë. Po të punonim 24, apo 48 orë do t’i plotësonim nevojat. Tani kemi mbi 200 pika karburanti hapur, në mënyrë që banorët që kanë gjeneratorë të mund ta bëjnë këtë. Kemi mundur të shkojmë te spitalet dhe janë duke u plotësuar nevojat.”- thotë Sekretarja në detyrë e Sigurisë Kombëtare, Elaine Duke.
Zyrtarë të Shtëpisë së Bardhë thanë se 44 nga 69 spitalet që ka ishulli janë tani në gjendje pune. Presidenti Trump ka në plan ta vizitojë ishullin të martën.
Facebook Forum