Lidhje

Putin: Të gjitha masat e sigurisë për Olimpiket në Soçi


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se vendi i tij do të marrë të gjitha masat e nevojshme për të garantuar mbarëvajtjen e Lojërave Olimpike në Soçi. Zoti Putin i bëri komentet ndërkohë që mbeten më pak se tre javë deri në hapjen e Olimpikeve dhe në një klimë shqetësimesh për rrezikun e sulmeve terroriste.

Udhëheqësi rus foli me tone vetëbesimi për masat e sigurisë në Soçi dhe rrotull tij:

"Puna e vendit organizator është të garantojë sigurinë për pjesëmarrësit dhe vizitorët. Ne do të bëjmë ç’është e nevojshme”.

Presidenti rus i bëri komentet në një intervistë që u transmetua nga programi This Week i rrjetit ABC.

Departamenti amerikan i Shtetit ka nxjerrë paralajmërime ku i këshillon amerikanët që kanë në plan të ndjekin Lojërat Olimpike të Soçi të tregohen të vëmendshëm, duke e cilësuar këtë aktivitet sportive si një “zhvillim tërheqës për terroristët”. Muajin e kaluar u kryen një numër shpërthimesh vetëvrasëse në Vollgograd, rreth 650 km në veri të Soçit.

Udhëheqësi rus tha se operacionet e sigurimit shtrihen përtej përgatitjeve për Lojërat.

"Kemi plot mjete në dispozicion përmes Shërbimit Federal të Sigurimit, Ministrisë së Brendshme dhe njësive të forcave të armatosura. Nëse është e nevojshme këto mjete do të aktivizohen”.

Zoti Putin tha se po tregohet vëmendje për të garantuar që këto operacione të ndërlikuara sigurie nuk do të ndërhyjnë tek Lojërat Olimpike.

Në përgjigje të një pyetje lidhur me ligjet që vënë në shenjestër homoseksualët, zoti Putin theksoi se të gjithë kanë të drejta të barabarta në vendin e tij. Ai e përshkroi trajtimin e homoseksualëve në vendin e tij si “më të butë” se në vendet ku homoseksualiteti është vepër penale e ndëshkueshme me vdekje. Rusia, tha ai, nuk kritikon ligjet e vendeve të tjera dhe ligjet ruse meritojnë të njëjtin respekt nga komuniteti ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG