Lidhje

Bisedë telefonike Putin-Poroshenko


Kremlini thotë se presidenti rus Vladimir Putin foli në telefon dje me homologun e tij ukrainas Petro Poroshenko në lidhje me mundësinë e arritjes së një armëpushimi në juglindje të Ukrainës.

Nuk u dhanë hollësi të tjera rreth kësaj çështje, por zëdhënësi i Kremlinit Dmitri Peskov, tha se zoti Putin shprehu gjithashtu shqetësimin mbi vdekjen e dy gazetarëve të medias shtetërore ruse dje pranë qytetit ukrainas të Luhanskit. Peskov tha se Ukraina ka premtuar se do të hetojë vdekjen e gazetarëve rusë. Sipas raporteve nga rajoni gazetarët vdiqën kur makina e tyre u godit me mortaja në afërsi të qytetit të kontrolluar nga rebelët.

Ky është kontakti i dytë i drejtpërdrejtë i nivelit të lartë mes udhëheqësve të dy vendeve që kur Rusia aneksoi gadishullin e Krimesë Ukrainës në mars. Që atëherë, separatistët pro-rusë kanë organizuar një kryengritje në Ukrainën lindore, dhe Moska ka nderprerë furnizimet me gaz natyror për fqinjin e saj për shkak të mospagimit të borxheve.
XS
SM
MD
LG