Lidhje

Takimi Kerry-Lavrov dhe shanset e diplomacisë


Presidenti rus paralajmëroi se një sulm ushtarak amerikan kundër Sirisë do të shtonte dhunën dhe do të nxiste një valë të re terrorizmi

Presidenti rus Vladimir Putin paralajmëroi se një sulm ushtarak amerikan kundër Sirisë do të shtonte dhunën dhe do të nxiste një valë të re terrorizmi. Komentet e tij bëhen ndërkohë që sekretari amerikan i shtetit John Kerry dhe homologu i tij rus Sergei Lavrov takohen sot në Gjenevë për të diskutuar rreth planit të Moskës për kontrollin e arsenalit të armëve kimike të Sirisë, që do të shmangte një goditje ushtarake amerikane.

Një zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit thotë se Sekretari Kerry dhe ministri i jashtëm Lavrov folën në telefon para se të arrinin në Gjenevë për të diskutuar mbi objektivin e tyre të përbashkët - identifikimin, verifikimin dhe përfundimisht shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë.

Presidenti Barak Obama këtë javë shprehu mbështetje të matur për nismën diplomatike të Rusisë, por tha se ushtria amerikane do të jetë gati për t'u përgjigjur nëse diplomacia dështon.

SHBA ka qenë haptazi skeptike në lidhje me synimet e presidentit sirian Bashar al -Asad dhe aleatit të tij, Rusisë. Zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Jen Psaki.

"Natyrisht, ne kemi një histori të gjatë dhe plot zigzage me rusët, prandaj po i mbajmë sytë hapur. Sekretari i Shtetit Kerry, kur foli me ministrin e jashtëm rus, Sergei Lavrov dy ditë më parë, e tha qartë se ne nuk do të lejojmë të luhen lojra."

Presidenti rus Vladimir Putin në një shkrim në gazetën New York Times i bënte thirrje Shteteve të Bashkuara dhe gjithë komunitetit ndërkombëtar për të përfituar nga ajo që ai e quajti "gatishmëri e Sirisë për ta vendosur arsenalin e vet kimik nën kontrollin ndërkombëtar."

Zyrtarët e Kombeve të Bashkuara janë optimistë rreth bisedimeve amerikano -ruse në Gjenevë. Ja si shprehet zëdhënësi Farhan Haq.

"Sekretari i përgjithshëm Ban Ki-moon mirëpret fuqimisht fillimin e diskutimeve serioze ndërkombëtare që mund të çojnë në një marrëveshje në Këshillin e Sigurimit për të siguruar dhe të shkatërruar armët kimike të Sirisë në mënyrë që të parandalohet përdorimi i tyre."

Presidenti Obama fajëson forcat siriane për një sulm vdekjeprurës kimik muajin e kaluar pranë Damaskut. Ai thotë se ishte kërcënimi ushtarak amerikan që e detyroi qeverinë e Assadit për të negociuar me Rusinë.

Eksperti për Lindjen e Mesme dhe sigurinë kombëtare, Ari Ratner thotë se duhet përfituar nga çdo shans për një zgjidhje me negociata.

"Se si mund të ishte saktësisht një zgjidhje me negociata, kjo mbetet për t'u diskutuar, si brenda Sirisë, ashtu edhe në komunitetin më të gjerë ndërkombëtar. Por në qoftë se përgatitjet për luftë këto dy javët e fundit, të cilat kanë qenë mjaft kaotike në shumë aspekte, arrijnë t'i japin një shtytje diplomacisë, ajo duhet provuar edhe një herë të fundit, edhe pse mund të përfundojë me dështim."

Analisti thotë se ata që janë kundër përdorimit të forcës në Siri do të jenë më të gatshëm që të rishikojnë alternativën ushtarake nëse shikojnë se po bëhen përpjekje diplomatike.

XS
SM
MD
LG