Lidhje

Putin: SHBA të paraqesin prova bindëse për Sirinë


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se ai nuk e përjashton mundësinë që të mbështesë një autorizim të OKB-së për përdorimin e forcës ushtarake kundër Sirisë nëse ka dëshmi se forcat qeveritare kanë përdorur armë kimike kundër civilëve.

Ai i tha agjencisë së lajmeve Associated Press dhe televizionit rus se Shtetet e Bashkuara duhet të paraqesin "prova bindëse" në Kombet e Bashkuara dhe paralajmëroi që Uashingtoni të mos ndërmarrë veprime ushtarake pa miratimin e OKB-së.

Zoti Putin tha në intervistë se do të ishte absurde që qeveria e Presidentit sirian Bashar al-Assad, të përdorte armë kimike në një kohë kur ai ka epërsi ndaj kryengritësve.

"Pamjet janë të tmerrshme, çështja është kush e bëri dhe çfarë bëri, kush është përgjegjës për këtë?" tha zoti Putin, duke iu referuar pamjeve që dolën në mediat sociale pas sulmit me armë kimike.

Administrata e Presidentit Obama thotë se në sulmin e 21 gushtit në periferi të Damaskut gjetën vdekjen 1,429 persona.

Qeveria e Presidentit sirian Bashar al-Assad ia hedh fajin për këtë ngjarje kryengritësve që përpiqen për rrëzimin e tij.

Zoti Putin tha se nuk e përjashton mundësinë që të mbështesë një autorizim të OKB-së për përdorimin e forcës ushtarake kundër Sirisë nëse ekzistojnë dëshmi se forcat qeveritare kanë përdorur armë kimike kundër civilëve.

Por ai paralajmëroi Uashingtonin që të mos ndërmarrë një veprim ushtarak pa miratimin e Kombeve të Bashkuara, duke thënë se kjo do të përbënte një agresion.
Zoti Putin ritheksoi kërkesën e tij se përpara ndërmarrjes së një veprimi, Presidenti Obama duhet të marrë miratimin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Zoti Putin tha gjithashtu se Rusia ka një kontratë për livrimin Sirisë të raketave S-300 për mbrojtjen ajrore.

"Ne kemi një kontratë për livrimin e raketave S-300. Ne kemi dërguar disa pjesë të raketave por livrimi nuk ka përfunduar. Tani për tani e kemi pezulluar. Por nëse shikojmë të ndërmerren hapa që shkelin normat ekzistuese ndërkombëtare, ne do të mendojmë se si do të veprojmë në të ardhmen, sidomos përsa i takon dërgimit të armëve të tilla sensitive në disa rajone të botës."

Deklarata e Presidentit Putin duket të ishte një kërcënim i tërthortë se Rusia mund të riaktivizojë një kontratë për furnizimin e Iranit me raketa të tilla, të cilën Rusia e anuloi nën trysninë e fortë të Izraelit.

Rusia do të jetë mikpritëse e samitit të G20 këtë javë në Shën Peterburg, ku Siria pritet të jetë ndër temat kryesore të diskutimeve.

Zoti Putin shprehu keqardhje që Presidenti Obama e anuloi takimin që do të bënte me të në Moskë. Por ai shfaqi shpresë se ata do të zhvillonin diskutime serioze për Sirinë dhe çështje të tjera kur të takohen në Shën Perterburg.
Vladimir Putin, President i Rusisë

"Presidenti Obama nuk është zgjedhur nga populli amerikan për t'i pëlqyer Rusisë. Edhe unë nuk jam zgjedhur nga populli i Rusisë për t'i pëlqyer ndonjërit. Ne punojmë dhe debatojmë për disa çështje. Jemi njerëz, ndonjëherë njëri prej nesh gabon. Por do të doja të përsërisja se interesat e ndërsjella globale formojnë një bazë të mirë për të kërkuar vendime të përbashkëta," tha zoti Putin.

Zoti Putin e vlerësoi Presidentin Obama si një partner të sinqertë dhe konstruktiv.
Ndërkohë, ai akuzoi agjencitë amerikane të zbulimit se gabuan në përpjekjet e tyre për kapjen e Edward Snowdenit, ish kontraktor i Agjencisë amerikane të Sigurisë Kombëtare, i cili kërkohet nga SHBA nën akuzat për spiunazh.

"Përfaqësuesit e shërbimeve speciale amerikane – dhe shpresoj që atyre të mos u mbetet hatri – mund të kishin bërë një punë më profesionale, po ashtu edhe diplomatët," tha ai.

Zoti Putin tha se Shtetet e Bashkuara mund ta kishin lejuar Snowdenin të shkonte në një vend ku siguria e tij nuk ishte e garantuar dhe ta kishin kapur gjatë udhëtimit. Në vend që të bënin këtë, tha zoti Putin, ata ushtruan trysni mbi vende të tjera që të mos e pranonin Snowdenin.

Presidenti Putin konfirmoi zyrtarisht për herë të parë se Snowdeni kishte qenë në kontakt me zyrtarët rusë në Hong Kong përpara se të shkonte në Moskë më 23 qershor. Ai mohoi edhe një herë se shërbimet sekrete ruse ishin duke punuar me Snowdenin, qëndrimi i të cilit në Rusi është i rrethuar nga një vello fshehtësie.
XS
SM
MD
LG