Lidhje

Takim Putin - Erdogan: të mërkurën bisedime për Sirinë


Presidenti rus Vladimir Putin po zhvillon një vizitë në Turqi. Ai përshëndeti të martën fillimin e ndërtimit të centralit të parë bërthamor turk, i cili po ndërtohet nga Rusia.

Impianti bërthamor Akkuyu do të vendoset në bregun e Mesdheut. Turqia dhe Rusia kanë lënë mënjanë rivalitetet e tyre tradicionale dhe dallimet në çështjet rajonale për të krijuar lidhje më të ngushta. Presidenti Putin dhe homologu turk Rexhep Tajip Erdogan janë takuar disa herë gjatë vitit të kaluar dhe flasin rregullisht në telefon.

Të mërkurën, së bashku me presidentin iranian Hassan Rouhani do të diskutojnë mbi Sirinë. Të tre vendet po sponsorizojnë një sërë përpjekjesh për t'i dhënë fund konfliktit. Ato kanë një prani ushtarake të rëndësishme në Siri dhe janë duke bashkëpunuar përherë e më tepër për zgjidhjen e çështjes së luftës civile përmes së ashtuquajturit “proces të Astanës.” Por thellimi i bashkëpunimit vjen përballë rivaliteteve intensive.

Sipas “procesit të Astanës”, në mbarë Sirinë janë krijuar të ashtuquajturat “zona pa konflikt”, ku janë përqëndruar grupet e rebelëve.

Ankaraja, që ka lidhje të afërta me grupet rebele, ka punuar ngushtë me Moskën gjatë këtij procesi. Takimi i së mërkurës pritet të përqëndrohet tek enklava e Idlibit. Forcat turke po e rrisin vazhdimisht praninë e tyre në këtë zonë, duke krijuar poste vëzhgimi për monitorimin e zonave pa konflikt.

Në takimin e së mërkurës, pritet të bisedohet edhe për fushatën ushtarake nën udhëheqjen e Turqisë, kundër njësive milicore kurdo-siriane, YPG. Ankaraja i akuzon ato si grup terrorist, me lidhje me kryengritjen kurde disa-dekadëshe, brenda Turqisë.

Muajin e kaluar, forcat turke i dëbuan njësitë YPG nga enklava siriane e Afrinit, por Erdogan është zotuar ta zgjerojë operacionin ushtarak në Sirinë veriore, deri në kufirin me Irakun. Pritet që Erdogan t’i zbusë shqetësimet e Vladimir Putinit dhe Hassan Rohanit për operacionin turk.

Teherani ka bërë thirrje që t’i jepet fund operacionit të Turqisë. Presidenti Hassan Rouhani pritet të shprehë shqetësimet e tij lidhur me operacionin, në bisedime të veçanta me presidentin turk Erdogan.

Bashkëpunimi i kohëve të fundit mes Teheranit me Ankaranë për Sirinë, i jep mundësi Iranit t’i minojë më tej marrëdhëniet e tensionuara të Turqisë me Shtetet e Bashkuara. Kjo sipas analistëve, është e rëndësishme për Iranin, duke patur parasysh rëndësinë e Turqisë përballë çdo sanksionesh të reja të SHBA kundër Iranit.

Teherani, sikurse Moska, është i ndërgjegjshëm për rolin e rëndësishëm që po luan Ankaraja, duke ndihmuar për lehtësimin e lëvizjes së rebelëve drejt rajonit, në afërsi të kufirit turk.

Analistët, megjithatë, theksojnë se përparësi për Ankaranë mbetet fushata kundër njësive kurde YPG.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG