Lidhje

Putin: Rusia nuk është armike e Shteteve të Bashkuara


Presidenti rus Vladimir Putin thotë se nuk beson që vendi i tij dhe Shtetet e Bashkuara janë armiq, dhe nuk u dha rëndësi sanksioneve të reja që u miratuan ndaj vendit të tij nga ligjvënësit amerikanë.

Gjatë një koonference të përvitshme për shtyp ku ai u përgjigjet pyetjeve nga publiku rus, zoti Putin tha se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara kishin luftuar në krah të njëri-tjetrit gjatë dy luftrave botërore dhe se “perandoria ruse kishte luajtur rol kyç në garantimin e pavarësisë amerikane”.

Zoti Putin tha se histeria që ka kapur median, ndikon tek perceptimet e publikut rus, por “shumë njerëz në Rusi i admirojnë arritjet e popullit amerikan dhe shpresoj që marrëdhëniet të normalizohen”, tha ai.

Komentet e zotit Putin vijnë një ditë pasi senati amerikan votoi me shumicë dërrmuese votash për të forcuar sanksionet kundër Rusisë, si ndëshkim për ndërhyrjen tek zgjedhjet presidenciale të vitit 2016 në Shtetet e Bashkuara.

Sanksionet e reja të miratuara dje nga Senati, vënë në shënjestër rusët që janë përfshirë në shkelje të rënda të të drejtave të njeriut, që kanë furnizuar me armë qeverinë siriane, që kanë kryer aktivitete të dëmshme kibernetike, dhe kanë hyrë në biznes me zbulimin dhe mbrojtjen ruse. Sanksionet duhet të miratohen nga Dhoma e Përfaqësuesve dhe nga Presidenti, që të hyjnë në fuqi.

Presidenti rus e shpërfilli efektivitetin e sanksioneve dhe tha se çështjet e brendshme amerikane ishin arsyeja për vendosjen e tyre.

Agjencitë amerikane të zbulimit kanë arritur në përfundimin se hakerat hynë në emailet e një këshilltari të ish-kandidates demokrate Hillary Clinton, megjithëse nuk kanë dalë prova që të lidhnin rusët, siç tha zoti Putin sot.

“Ish-drejtori i FBI-së, James Comey mendon se kishte ndërhyrje të Rusisë në procesin zgjedhor, por nuk ka dhënë asnjë prove”, tha zoti Putin.

Ai pastaj me shaka i ofroi azil politik ish-drejtorit të FBI-së, që u shkarkua muajin e kaluar nga Presidenti amerikan Donald Trump.

“Tingëllon shumë e çuditshme që kreu i shërbimeve të sigurisë mban shënime për një bisedë me komandantin e përgjitshëm dhe pastaj ia përcjell informacionin medias përmes një miku të tij”, tha zoti Putin.

Zoti Putin e krahasoi zotin Comey me Edward Snowdenin, që ka marrë azil politik në Rusi dhe la të kuptohej se nuk kishte ndryshim mes veprimeve të zotit Snowden dhe atyre të ish-drejtorit të FBI-së.

“Kjo do të thotë se ai nuk është shefi i shërbimeve të sigurisë por një mbrojtës i të drejtave të njeriut. Dhe nëse përballet me presion, ne me kënaqësi do t’ia ofrojmë edhe atij azilin politik”.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG