Lidhje

Njoftimi mbi vizitën e Putinit në SHBA, shtang Uashingtonin


Pa u shuar ende vala e kritikave të gjera ndaj presidentin Trump lidhur me takimin e nivelit të lartë në Helsinki, Uashingtoni vazhdon të gëlojë nga debatet pas njoftimit të Shtëpisë së Bardhë se Presidenti rus Vladimir Putin do të vizitojë Shtetet e Bashkuara më vonë gjatë këtij viti.

Si për t’i hedhur benzinë zjarrit, po planifikohet një tjetër takim Trump-Putin, këtë herë në tokën amerikane. Lajmi kapi në befasi edhe vetë shefin e zbulimit amerikan Dan Coats.

Një vizitë zyrtare në Uashington është një nder, që pak ligjvënës amerikanë të secilës parti besojnë se Vladimir Putini e meriton. Por zoti Trump po kundërpërgjigjet në mesin e kritikave të forta për deklaratat e tij gjithnjë të ndryshme lidhur me ndërhyrjen ruse në zgjedhjet presidenciale amerikane të vitit 2016. Nëpërmjet një postimi në twitter të dielën presidenti këmbënguli se ai kishte patur "një takim të jashtëzakonshëm me zotin Putin" në Helsinki dhe akuzoi ato që i quajti media të rreme që po e nënvlerësojnë, duke e quajtur këtë, një gjë të "keqe për vendin".

Por demokratët nuk bien dakord.

"Bisedimet në Helsinki ishin të frytshme, por për Vladimir Putinin. Realiteti është se ne nuk kemi asnjë ide se për çfarë ky president, presidenti ynë, ... ka rënë dakord. Ne dimë që pas largimit nga takimi dhe kthimit në atdhe, presidenti reduktoi angazhimin tonë ndaj sigurisë kolektive në kuadër të NATO-s. A ishte dhe kjo një temë e diskutimit? A u ngrit çështja e Malit të Zi?”, thotë ligjvënësi demokrat Adam Schiff.

Ndërkohë, qeveria ruse i konsideroi polemikat si një grindje e vogël partiake amerikane.

"Rusia dhe marrëdhëniet ruso-amerikane u bënë peng i luftës së brendshme politike mes demokratëve dhe republikanëve. Për fat të keq, histeria anti-ruse apo ruso-fobia nuk po tregon shenja të rënies në Shtetet e Bashkuara. Në një moment, mendova se niveli i retorikës anti-ruse ra, por nuk po ndalet. Dhe mendoj se nuk do të ndalet deri në zgjedhjet amerikane të nëntorit", thotë Anatoli Antonov ambasadori rus në Shtetet e Bashkuara.

Në fund të javës së kaluar, Shtëpia e Bardhë u distancua nga një propozim i Rusisë që i jepte mundësinë Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, të merrnin në pyetje shtetasit e njëri-tjetrit.

"Nënshtrimi i diplomatëve ndaj Putinit? Ky është abuzim me pushtetit", tha udhëheqësja e pakicës demokrate Nancy Pelosi.

"Naive dhe absurde. Nuk ekziston sundimi i ligjit në Rusi, vetëm sundimi i Putinit", thotë senatori republikan Lindsey Graham.

Senati miratoi njëzëri një rezolutë që kundërshtonte marrjen në pyetje nga qeveria ruse të ish-zyrtarëve amerikanë apo atyre në detyrë, duke i dërguar një mesazh të fortë, të mbështetur nga të dyja palët, Shtëpisë së Bardhë.

Facebook Forum

XS
SM
MD
LG