Lidhje

Obama-Putin, bisedë jozyrtare gjatë ceremonive në Francë


Presidenti amerikan Barack Obama dhe Presidenti rus Vladimir Putin folën për pak minuta gjatë ceremonive të 70-vjetorit të zbarkimit aleat në Normandi, megjithë ftohjen që ka shkaktuar aneksimi i Krimesë nga Rusia. Presidenti rus pati takime të drejtpërdrejta edhe me udhëheqësit e tjerë perëndimorë, të parat që nga fillimi i krizës në Ukrainë.

Presidenti rus Vladimir Putin i vazhdoi sot takimet me udhëheqësit perëndimorë, për të diskutuar mbi rolin e Moskës në trazirat në Ukrainë.

Biseda jozyrtare me Presidentin Obama, sipas Shtëpisë së Bardhë, zgjati 10-15 minuta, gjatë një dreke të shtruar nga Presidenti i Francës François Hollande në Francën veriore, me rastin e një ceremonie për nder të përvjetorit të zbarkimit aleat në Normandi.

Gjatë një fotografimi në grup, me udhëheqësit e tjerë, zoti Obama dhe zoti Putin u duk se u përpoqën ta shmangin njëri-tjetrin, por gjithsesi folën pasi hynë brenda sallës.

Zoti Putin u takua më herët me kancelaren gjermane Angela Merkel.

Dje, zoti Putin pati bisedime me kryeministrin britanik David Cameron vetëm disa orë pasi Presidenti amerikan Barak Obama dhe aleatët perëndimorë, për herë të parë në dy dekada, ishin takuar në Bruksel pa praninë e Rusisë.

Pas takimit, zoti Cameron tha se ai i kishte kërkuar zotit Putin të përfitonte nga mundësitë diplomatike përpara tij:

"Ky ishte një takim me mesazhe shumë të qarta dhe të forta, pra se ekziston shansi për një Ukrainë të suksesshme, paqësore dhe të qëndrueshme, sidomos tani, pas zgjedhjeve presidenciale. Por, gjendja sot nuk është e pranueshme dhe duhet të ndryshojë. Është e nevojshme që rusët ta njohin dhe të punojnë me presidentin e ri, është e nevojshme ulja e tensioneve, të mos lejohet që armët dhe njerëzit të kalojnë kufirin. Ne kemi nevojë për veprime në këto fronte dhe, nëse kjo ndodh, ekziston një rrugë diplomatike për marrëdhënie të rregullta midis Ukrainës dhe Rusisë dhe një e ardhme e suksesshme për popullin e Ukrainës," tha zoti Cameron.

Disa orë pas bisedimeve me zotin Cameron, zoti Putin u takua me presidentin francez François Hollande në Paris.

Z. Hollande e priti udhëheqësin rus në Pallatin Elize mbrëmë vonë. Takimet e zotit Putin me udhëheqësit perëndimorë ishin të parat që nga aneksimi i gadishullit të Krimesë nga Rusia.

Më parë, zoti Hollande ishte në një darkë në Paris me Presidentin Obama, Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry dhe të tjerë.

Udhëheqësit e G7-s e përdorën forumin e Brukselit për të dënuar Moskën për mbështetjen e saj ndaj rebelimit separatist pro-rus në Ukrainën lindore. Më vonë, zoti Obama i kërkoi Moskës të negociojë direkt me qeverinë e sapo-zgjedhur të Ukrainës dhe i bëri thirrje zotit Putin të ndalë kalimet ndërkufitare të milicive të armatosura ruse në Ukrainë.

Po dje, udhëheqësit perëndimorë vunë në dukje gatishmërinë e Kremlinit për të njohur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të 25 majit në Ukrainë. Sot, zoti Putin u takua për pak minuta me Presidentin e zgjedhur të Ukrainës Petro Poroshenko.

Por, zoti Obama dhe udhëheqës të tjerë paralajmëruan se brenda disa javësh kundër Moskës mund të vihen sanksione të reja ekonomike nëse Kremlini nuk merr masa për të frenuar mbështetjen për separatistët pro-rusë.

Dhuna në rajon vazhdoi edhe mbrëmë. Zyrtarët në Kiev thanë se të paktën 15 separatistë u vranë në përleshjet pranë kufirit me Rusinë.
XS
SM
MD
LG