Kryeministri rus Vladimir Putin ka deklaruar fitore në zgjedhjet presidenciale. Por megjithë popullaritetin që ka udhëheqësi rus në përgjithësi në vendin e tij, në kryeqytetin e vendit, Moskë, ai po humbet gjithnjë e më shumë mbështetjen:
Pas flamujve dhe detit me njerëz ka një autokolonë me autobusë. Mikhail Dukhovich, aktivist pro-Putinit thotë se ai dhe shumë të tjerë kanë ardhur në Moskë për të festuar pranë ndërtesës ku ndodhej dikur selia e KGB-së.
“Vladimir Putini është kandidati i vërtetë, i vetmi kandidat i vërtetë i cili realizon marrëveshje të vërteta, dhe nuk shprehet thjesht me llafe si kandidatët e tjerë. Gjatë tetë vjetëve që ishte president bëri shumë për vendin”.
Për aktivistin Dukhovich, një fitore tjetër për Putinin si president do të ishte diçka e mirë:
“Nëse bëhet përsëri president, për 12 vjet, do të ketë kohë të mjaftueshme për të rregulluar problemet e tjera”.
Tubimet pro-Putinit në Moskë mbledhin njerëz nga gjithë Rusia:
“Më pëlqente kur Putini ishte në pushtet. Por tani duam ndryshime, në mënyrë që ekonomia të përmirësohet, në mënyrë që bizneset e vogla ta kenë më të lehtë”.
Zonja Mikhailova thotë se ka votuar për Mikhail Prokorovin, biznesmeni që zotëron një ekip amerikan basketbolli.
Një qytetar tjetër thotë se votën e ka hedhur për Vladimir Putinin.
“Për Putinin sepse qeveria jonë ka nevojë për stabilitet, sepse milionerët janë mirë, por njerëzit e thjeshtë si ne duhet të gjejnë mënyra për të mbijetuar”.
Por pensionistja Ludmilla Elbakri, dikur ekonomiste, thotë se njerëzit kërkojnë ndryshime. Për këtë arsye, thotë ajo, votova për Mikhail Prokhorovin:
“Njerëzit duan ndryshime. Ata duan të jetojnë në një tjetër realitet”.
Inka Khovorova, pedagoge në pension, është e të njëjtit mendim:
“Duhet të organizohet një lëvizje, duhet të ketë protesta. Duhet të dëgjohen zëra të ndryshëm”.
Sonte flamujt dhe pankartat do të jenë të opozitës. Nëse kjo protestë është e ngjashme me të kaluarat, analistët parashikojnë që pjesëmarrësit do të jenë kryesisht moskovitë.